Mes frikës dhe kritikave, talibanët kërkojnë njohje ndërkombëtare

Talibanët thanë të martën se shpresojnë të fitojnë njohjen ndërkombëtare si “përfaqësues legjitim” të Afganistanit, duke argumentuar se angazhimi diplomatik do të ndihmonte në promovimin e sigurisë globale dhe lehtësimin e vuajtjeve të afganëve gjatë dekadave të luftërave të pamëshirshme.

Një anëtar i lartë i Komisionit Kulturor të grupit islamik i bëri këto komente për Zërin e Amerikës, duke thënë se talibanët po vazhdojnë bisedimet me të gjithë aktorët afganë për të formuar një “qeveri gjithëpërfshirëse islamike” dhe “një njoftim mbi këtë do të bëhet së shpejti”.

“Ne besojmë se bota ka një mundësi unike të riafrimit dhe të bashkimit për të trajtuar jo vetëm sfidat me të cilat po ballafaqohemi ne, por edhe ato të gjithë njerëzimit, duke filluar nga siguria botërore e deri tek ndryshimet klimatike. Për trajtimin e këtyre sfidave duhet një përpjekje kolektive e të gjithëve dhe ato nuk mund të trajtohen me sukses nëse përjashtohet ose injorohet një popull i tërë”, tha Abdul Qahar Balkhi.

Ai foli një javë pasi talibanët marshuan në kryeqytetin afgan, Kabul, duke marrë kontrollin e 33 nga 34 provincat e Afganistanit pa u përballur me ndonjë rezistencë të madhe nga forcat e qeverisë së rrëzuar.

Kritikët mbeten skeptikë në lidhje me premtimet e fundit të talebanëve, duke cituar raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që flasin për lidhjet e vazhdueshme të grupit me al-Kaidën dhe grupet e tjera ekstremiste. Zyrtarët e OKB-së kanë cituar gjithashtu raporte për “ekzekutime masive” dhe kufizim të të drejtave të grave në zonat nën kontrollin e talibanëve.

“Ne shpresojmë të njihemi nga vendet botërore si qeveri legjitime e popullit të Afganistanit, i cili ka fituar të drejtën për vetëvendosje nga një pushtim i huaj me mbështetjen e të gjithë kombit, pas një lufte të gjatë dhe me sakrifica të mëdha”, tha zoti Balkhi.

Ai përsëriti se grupi i tij “e ka bërë të qartë pa mëdyshje” se nuk do të lejojë askënd të përdorë territorin afgan për të kërcënuar sigurinë e vendeve të tjera, duke shtuar se talibanët nuk do të lejojnë të tjerët të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit të tyre.

“Të drejtat e të gjitha pakicave do të vazhdojnë të mbrohen”, tha zoti Balkhi, duke i quajtur kritikat ndaj talibanëve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbështetje të politikave ekstremiste gjatë qeverisjes së tyre të kaluar një “propagandë të hidhur” kundër grupit.

Talibanët zbatuan interpretimin e tyre të rreptë të ligjit islamik, Sheriatit gjatë sundimit nga viti 1996 deri në 2001, duke i ndaluar gratë të dilnin nga shtëpitë pa një të afërm mashkull dhe ndaluan arsimimin e vajzave.

“Ka ardhur koha që ne të ecim përpara, të shikojmë drejt së ardhmes dhe të mos ndalemi në analizimin e gjërave që kanë ndodhur në të kaluarën”, tha zoti Balkhi.

Udhëheqësit afganë anti-talibanë kanë hedhur poshtë pretendimet se grupi i ka zbutur politikat e tij./VOA