Shkruan: Medai Shaholli
Shpallja e Ramiz Merkos në listën e zezë të personave të korruptuar të vendeve me sistem ligjor të brishtë nga DASH si non grata, është vetëm cironka e vockël që notonte në ujërat e korruptuara të liqenit të Ohrit, së bashku me krapin dhe koranin që nuk u kapën kurrë në ‘peshkarexhën amerikane të antikorrupsionit’ nëpër vendet e Ballkanit.
Peshqit e mëdhenj dhe krokodilët e ‘Severnës’ vështirë se kapen në ‘peshkarexhën e antikorrupsionit’ të DASH-it, pasi pushtetarët e ‘drzhavës’ po i korruptojnë ‘peshkatarët’ amerikanë, duke i dërguar ato për ‘peshkim’ në ujëra të cekta për të kapur vetëm cironka si Ramiz Merko.
Ndërsa ‘peshkarexha amerikane e antikorrupsionit’ lundron e qetë nëpër ujërat e turbullta të ‘Severnës’ ku ‘krokodilët dhe peshqit’ e mëdhenj po notojnë të qetë në kënetën e madhe të korrupsionit, ata kanë mbyllur sytë para këtij akti gjasme nuk kanë parë ‘peshkaqenët dhe krokodilët’ e vërtetë të ‘drzhavës Severna’ në këto ujëra, të cilët po vazhdojnë të bëjnë kërdinë duke zhvatur qytetarët dhe paranë publike.
Të paktën për dy dekada të lundrimit nëpër Ballkan ‘peshkarexha amerikane antikorrupsionit’ nuk peshkoi dot ‘krapët dhe peshkaqenët’ mëdhenj të ‘drzhavës’ që janë me shumicë në qeveri apo në parlament, pokurorë apo gjykatës, ambasadorë apo punonjës të lartë shtetërorë por përkundrazi, peshkoi në ‘rrjetën e saj të çarë’ vetëm cironkën e vockël si Merko, për t’ia dorëzuar drejtësisë së qelbur të ‘peshkaqenëve dhe krokodilëve të drejtësisë së kapur të ‘drzhavës Severna’!
A do të zgjohet më në fund drejtësia apo do ta ‘hanë karremin vetëm cironkat e vockla’ dhe drejtësia do të marrë fund?