Merko ‘kapet’ edhe për një shkelje tjetër

Komisioni Antikorrupsion dyshon se kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar ushtrues detyre drejtor në një shkolle fillore në Strugë.

Komisioni Shtetëror për Luftën kundër Korrupsionit do të dorëzojë iniciativë në Prokurorinë Themelore Publike (PPO) Strugë për ndjekje penale të kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, përcjell INA.

Nga aty dyshojnë se Merko në mënyrë të paligjshme e ka emëruar dy herë ushtrues detyre drejtor një kandidate që nuk kishte diplomë universitare dhe as përvojën e nevojshme të punës.

Komisioni propozoi ndjekjen penale të drejtoreshës si dhe të disa punonjësve të tjerë që e ndihmuan për falsifikimin e dokumenteve që i nevojiteshin për zgjedhjen e pozicionit të drejtoreshës.

Po ashtu, në atë kohë ajo nuk kishte vërtetim për dhënien e provimit për drejtor dhe as bordi i shkollës nuk kishte marrë vendim për shpalljen e thirrjes publike. Të gjitha këto i ka bërë me dokumente zyrtare të falsifikuara. Në të njëjtën kohë, drejtoresha rriti vetë numrin e mësimeve me një aneks marrëveshje, e cila është në kundërshtim me ligjin. (INA)