Merkel kundërshton zgjedhjen e kryetarit të Turingenit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se zgjedhja e një lideri liberal në lindje të Gjermanisë, me ndihmën e partisë të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, është e “pafalshme” dhe vendimi duhet të përmbyset.

Thomas Kemmerich është bërë kryetar i landit Turingen, pasi partia Alternativa për Gjermaninë ka votuar papritur për të.

Kjo situatë është duke u konsideruar tërmet politik në Gjermani, pasi partitë e mëdha kanë refuzuar të bëjnë marrëveshje me këtë parti.

Duke folur gjatë një vizitë në Afrikën Jugore, kancelarja Merkel ka thënë se zgjedhjet ne Turingen duhet të zhvillohen sërish.

“Ka qenë ditë e keqe për demokracinë, një ditë që ka thyer traditën e gjatë dhe krenare të vlerave të Partisë Demokristiane (CDU). Kjo nuk ka të bëjë aspak me atë që beson CDU-ja”, ka deklaruar ajo.

Shumë politikanë tjerë kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Kemmerichut nga pozita që ka fituar, përfshirë kryetaren e partisë CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Kritikët e Kemmerich-ut kanë qenë të shokuar me faktin se dy partitë e qendrës së djathtë kanë bërë marrëveshje me partinë që ka qasje ekstreme ndaj imigrimit, lirisë së shprehjes dhe shtypit.

Partia, Alternativa për Gjermaninë, ka ligjvënës në të 16 parlamentet e landeve gjermane.

Në nivel kombëtar ajo mban 89 ulëse në Dhomën e Ulët të parlamentit nga 709 sa janë në total, duke e bërë atë partinë më të madhe opozitare./rel