Meritoni nga Dibra na bën krenar në New York

Nëntë vite më parë u largua nga Dibra e Madhe duke marrë me vete një pasion të madh që sot e ka bërë të duartrokitet në SHBA.

Meriton Klobuchishta është shqiptari i radhës që na bën krenarë, duke marrë vendin e parë në 10-shen e fundit në një event gala të organizuar në Amerikë, si një ndër parukierët më të mirë.

Në një intervistë për Vipmagazine.al, ai tregon si e nisi këtë profesion në hapat e tij të parë, pikërisht në Dibër të Madhe.

Pas largimit nga vendi i tij, Meritoni e kishte të qartë se do vazhdonte të ushtronte profesionin e tij me pasionin për artin dhe të bukurën. Sot ka sallonin e tij në SHBA, ku klientët janë nga më të zakonshmit deri tek figura të njohura të showbizz-it.

 

Arritjet e deritanishme ia dedikon familjes, si një shtysë dhe mbështetje e madhe në gjithë këto vite.

Meritoni thotë se në të ardhmen jo shumë të largët, profesionin e tij do ta ndajë me të rinjtë të cilët ndajnë të njëjtat pasione me të.

Një ëndërr mbetet rikthimi në vendlindje, por deri atëherë do vazhdojë të bëjë krenarë familjen dhe të gjithë shqiptarët, dhe të kujdeset për look-un e atyre që tashmë duket se i besojnë duarve të tij me sy mbyllur!

-Si ka nisur pasioni juaj për këtë profesion?

Duke e dashur artin në përgjithësi dhe duke ditur që parukeria është art me magnetizoi ky profesion sepse të dukesh pastër, me stil dhe bukur është Art dhe pasioni im nisi atëherë kur unë isha i vetëdijësuar për fushën që do të zgjidhja.

-Kur e nisët këtë profesion në Maqedoni a druheshit se nuk do kishit sukses?

Në çdo drejtim fillimi është pak sa i rëndë, por me vullnet, dëshirë dhe përkrahje çdo ëndërr bëhet realitet. Epo fundja çdo sakrificë ka një fund të suksesshëm dhe të bukur.

-A ka qenë mbështetëse familja juaj në hapat e para të këtij rrugëtimi?

Absolutisht që po! Familja ishte hapi i parë në këtë nismë dhe në këtë pasion. Që unë do t’iu jem falenderues gjithë jetën për përkushtimin dhe ndikimin e tyre në këtë fushë!

-Cila qe arsyeja që ju largoi nga Maqedonia 9 vite më parë?

Arsyeja…domethënë si të gjithë të rinjtë shqiptar arsyet e emigrimit janë të shumta, duke u nisur nga papunësia deri tek mos përparimi! Gjëra që nuk realizohen në Ballkan fatkeqësisht!

-Kur u larguat nga vendi a e kishit të planifikuar faktin se edhe në SHBA do të mund të ushtronit profesionin tuaj?

Po. Sepse këtë profesion e ushtroja me pasion dhe me shumë vullnet. Pa u bazuar në vlerën monetare aspak!

-Keni menduar të zgjeroni biznesin tuaj për të dhënë̈ kurse për të rinjtë që duan t’i futen parukerisë?

Po, agjenda ime është super e gjerë, duke u nisur nga Global Master Class deri tek produktet e mia

-Si ndiheni që jeni renditur një ndër 10 parukierët më të mirë në botë?

Në Gala unë nuk konkurova por ata më ftuan. Kjo ishte ndër dhe kënaqësi në të njëjtën kohë. Nuk e mendoja se dot marr çmimin e parë në 10-shen e fundit. Ndjenja ishte e papërshkruar. Në radhë të parë nderova prindërit që ishin iniciatorët e parë pastaj veten. Se di dmth. Thjesht kënaqësi!

-Kujt ia dedikoni këtë arritje?

Arritjen ua dedikoj të gjithë atyre që më përkrahën dhe që vazhdojnë të jenë pjesë e jetës time. Familjes, shoqërisë dhe vendlindjes time Dibrës së Madhe!

-A e keni menduar rikthimin në Maqedoni pas këtij suksesi?

Rikthimin për në Maqedoni secili mërgimtar e ka ëndërr. Shpresoj se një ditë të gjithë emigrantët të kthehen në vendlindjet e tyre. Sepse guri i rëndë peshon në vend të vet!

Shenim: Ky informacion eshte huazuar nga http://vip-magazine.al/