Mërgimtari nga Tetova: Më 12 prill vij për të votuar, më 13 prill kthehem në punë në Gjermani

Te mërgimtarët tanë në Gjermani vërehet mobilizim i madh për të ardhur në votimet e 12 prillit. Ekipi i Gazetës Lajm ka qëndruar tre ditë në landin Nord Rhein Westfalen, ku kemi vërejtur një eufori të vërtetë për zgjedhjet e 12 prillit.
Zedi Arifi, gjendet tani e 23 vite në Gjermani. Deri tani ka marrë pjesë në votime vetëm nëse ka qëlluar në shtëpinë e tij në Pirok të Tetovës kur janë mbajtur zgjedhjet. Mirëpo kësaj radhe vjen apostafat për të votuar, sepse këto zgjedhje i vlerëson si vendimtare për shqiptarët në Maqedoni. Ai ka rezervuar biletën e aeroplanit për 12 prill, kurse biletën khyese për 13 prill.
“Isha në shtëpi para dy javëve, por tash nuk vij si mysafir. Tani vij vetëm të votoj për koalicionin fitimtar, të festoj fitoren dhe të nesërmen kthehem mbrapa. Apeloj gjithë mërgimtarët të vijnë në këtë ditë të madhe në vendlindje dhe të festojmë ndryshimin”, thotë Arifi për Gazetën Lajm, duke na treguar edhe biletën e rezervuar të aeroplanit nga Kelni për Shkup.