Mërgimtarët pa pasaporta, me muaj presin përgjigje nga Ambasadat!

“Zemra me t’u kallë vetëm për me ardhur në vendlindje tënde e me i vizitu familjen e farefisin e gjithë…A nuk është turp i botës të presim 6 deri 9 muaj dhe ju kështu të merreni me ne…”, tha Xhihat Rufati – Aplikues për pasaportë.

Xhihat Rufati që nga 28 janari (2020) po pret për të marrë pasaportë nga Ambasada e Maqedonisë në Berlin, por deri më tani pa sukses.

– Advertisement –

“Në fund të marsit kanë qenë ata nga Maqedonia që na fotografonin, që na i merrnin shenjat e gishtërinjve, mua s’më ka treguar askush që kanë qenë dhe se mund të shkoj të fotografohem, asnjëherë, edhe pse kam qenë i paraqitur”, u shpreh Xhihat Rufati – Aplikues për pasaportë.

E krejt këto vonesa të autoriteteve të Shkupit, Xhihatit i sjellin vështirësi në qëndrimin e tij në Gjermani, ku që nga 2014 është azilkërkues.

– Advertisement –

“Më herët s’na ka takuar leja e qëndrimit sepse jemi prej shtetit të siguruar, por tani pasi kam mbaruar shkollën, jam i kualifikuar këtu në Gjermani dhe më takon leja e qëndrimit, por nuk mund ta marr sepse nuk e kam pasaportën”, potencoi Xhihat Rufati – Aplikues për pasaportë.

Rasti i këtij të riu nuk është i vetëm. Krahas atyre që me muaj po presin në Gjermani, në redaksinë e TV21 kanë arritur ankesa edhe nga Zvicra.

– Advertisement –

…në çfarë gjendjeje kanë rënë Ambasadat e Maqedonisë, as pasaporta për shtetasit e vet s’munden të furnizojnë. Jemi në Zvicër dhe s’kemi kurrë njëfarë mundësie të marrim pasaporta. Në fillim thoshte ambasadori se duhet të pritet 9-12 muaj që është skandaloze dhe pas disa javësh e thirra ambasadorin dhe më dha përgjigje që ambasada nuk jep pasaporta!…

Pikërisht për këtë problematikë, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ua ka ndarë vendimet diplomatëve dhe referentëve konsullorë të cilët janë anëtarë të ekipeve mobile për dokumente të udhëtimit, me çka ata urgjentisht udhëzohen në Përfaqësitë Diplomatike-Konsullore.

“Detyra e tyre është që të bëjnë përpjekje shtesë me qëllim që gjatë kohës së vizitës nëpër Përfaqësitë Diplomatike- Konsullore, të arrijnë edhe deri te qytetari i fundit, i cili ka nevojë nga shërbimet tona konsullore”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Nga Ministria e Jashtme thonë se ekipet fillojnë me vizitat në Zagreb, Vjenë dhe Mynih, kurse pastaj sipas planit, dërgohen edhe në qendra të tjera ku ekziston nevoja. Për orarin e saktë të shërbimeve, të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për marrjen e pasaportave do të njoftohen nga Përfaqësitë Diplomatike Konsullore.

Nga MPJ shpjegojnë se realizimi i planit aksionar për vitin 2020, pjesërisht ishte i pasivizuar për shkak të paraqitjes së pandemisë globale, ndërsa zotohen për përpjekje për funksionim të pandërprerë dhe efikas të ekipeve mobile, të cilat duke filluar nga 2 tetori deri më 9 nëntor të këtij viti, do të realizojnë planin aksionar.