Mërgimtarët mobilizohen për protestën e thirrur nga koalicioni Tash Është Koha për mbrojtje të votës së lirë

Koalicioni Tash Është Koha i përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ka thirrur protestë për ditën e Hënë, për të kundërshtuar refuzimin e ankesave nga ana e KSHZ-së si dhe Gjykatës së Apelit, që ky koalicion i parashtroi përpara tyre. Sipas koalicionit Tash Është Koha, në shumë vendvotime janë vërejtur parregullsi zgjedhore, blerje të votave, votim të personave të vdekur, mbushje kutish si dhe kërcënime të vëzhguesve opozitar.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa protestën e kanë thirrur për ditën e Hënë në ora 19.00, ku në marsh protestues do të protestojnë përpara KSHZ-së si dhe zyrave të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut. Ndër të parët që i janë përgjigjur kësaj ftese janë mërgimtarët, të cilët nëpër rrjete sociale kanë shprehur gatishmërinë që të jenë në krah të protestuesve në ditën e Hënë. Shumë mërgimtarë kanë udhëtuar enkas ditën e votimeve për të përkrahur koalicionin e ASH-së dhe AAA-së, por të cilët theksojnë se kanë ngelur të pakënaqur nga ana e sistemit zgjedhor, ku dyshohet për manipulim të një numri të madh të votave, andaj sipas tyre është e domosdoshme të jenë edhe në protestën për mbrojtjen e votës së lirë.

Ndryshe protesta do të zhvillohet ditën e Hënë në ora 19,00, gjithashtu kujtojmë që sot Gjykata Apelit i ka refuzuar të gjitha ankesat e parashtruara nga partitë politike për parregullsi zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 2020-tës.