Kreu i OBSH-së mohon akuzat për marrëveshje sekrete me Kinën

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mohoi komentet e bëra nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, për marrëdhëniet mes OBSH dhe Kinës, duke i quajtur ato të pavërteta, të papranueshme dhe të pabaza.

Gjatë raportimit të përditshëm për situatën e pandemisë në botë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se qëllimi dhe puna e OBSH është vetëm të shpëtojë jetë njerëzish dhe se organizata që ai drejton nuk do të shpërqendrohet nga këto komente dhe as komuniteti ndërkombëtar.

Agjencia e lajmeve Bloomberg raportoi përmes burimeve të saj të sigurta, gjatë një takimi privat të Pompeo dhe një grupi ligjvënësish britanikë në Londër, se Pompeo është shprehur i bindur se kreu i OBSH ka firmosur një kontratë më herët një marrëveshje sekrete me Kinën, që ai të marrë drejtimin e OBSH.

Por, Ghebreyesus i mohoi akuzat duke deklaruar se kërcënimi i vetëm për OBSH në këto momente është pandemia Covid-19, e cila sipas tij nuk respekton as kufijtë, as ideologji apo parti politike. Shefi i OBSH e mbyll reagimin e tij duke theksuar se edhe politika duhet karantinuar nga koronavirusi.