Në fshatin Hotël të Kumanovës nuk do të ketë sofër të zbrazët gjatë muajit të Ramazanit. Për këtë po kujdesen mërgimtarët e këtij fshati që jetojnë në vendet e ndryshme të Evropës. Disa prej tyre, tashmë kanë derguar donacione në njërin nga marketet e fshatit, për t’iu mundësuar banorëve në nevojë furnizim falas me bukë dhe gjëra tjera ushqimore, raporton gazeta LAJM. “Ndihmat vijnë nga mërgimtarët tanë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës. Me donacionet që dërgojnë ata, fshatarët mund të vijnë në marketin tonë të marrin bukë falas por edhe gjëra tjera ushqimore për të cilat kanë nevojë”, tha Ardit Jusufi, pronar i marketit “Arditi”. Kjo nuk është hera e parë që mërgitarët e fshatit Hotël dërgojnë donacione në marketin “Arditi”. Ndihmat nuk kanë munguar edhe gjatë krizës që shkaktoi koronavirusi. E, në këtë fshat me rreth 3500 banorë, nuk janë të paktë ata që kanë nevojë për ndihmë. “Nevojtarë ka shumë, madje edhe nga fshatra tjerë. Mërgimtarët tanë asnjëherë nuk harrojnë bashkëfshatarët. Presim që në ditët e ardhshme të shtohen donacionet me qëllim që asnjë sofër mos të mbetet e zbrazët”, u shpreh Ardit Jusufi. Nismat për të ndihmuar nevojtarët gjatë muajit të Ramazanit janë të shumta. Në këtë furrë në qytetin e Kumanovës, çdo qytetarë ka mundësi të paguajnë një bukë më tepër, që do tu jepet falas atyee që s’kanë mundësi ta paguajnë . Nëpër rrjetet sociale janë publikuar nisma të ngjashme humanitare që po ndërmerren edhe nëpër qytete tjera të vendit. /Amir Idrizi, Gazeta LAJM
Mërgimtarët e Hotlës ndihmojnë bashkëfshatarët në Ramazan: Asnjë sofër mos të mbetet e zbrazët (VIDEO)
Posted by Lajm TV on Friday, 24 April 2020