“Memento” – Arbën Xhaferi dhe e vërteta për Maqedoninë

Shkruan: Arbën Xhaferi

“Memento” është fjalë latine që do të thotë “mos harro ose mbaje në mendje”. Memento-ja është shumë e rëndësishme në politikë, jo vetëm për shkak të interesave të sotme, por edhe për shkak të ruajtjes së vazhdimësisë së vlerave që ndikojnë në përforcimin e unitetit të një kombi.

Sot fërkimet në mes të popujve të Ballkanit shfaqen në dimensionin e interpretimit të së kaluarës, përkatësisht të ndërlidhjes së saj me të ardhmen. Popujt që arrijnë ta inponojnë rrëfimin e vet dëshmojnë se kanë kapacitete për dominim. Në këtë mes shqiptarët janë më të ndrojtur ndërkaq maqedonasit, duke luajtur rolin e viktimës janë, në esencë më agresiv. Ata, duke luftuar për fikcionet e tyre, arrijnë që të fitojnë të drejtën për suspendim të realiteteve të tjera, arrijnë që hiçin ta bëjnë diç, ndërkaq shqiptarët diçin hiç. Prandaj duhet, herë pas here ta freskojmë kujtesën historike, jo për t‘i rrezikuar të tjerët, por për ta mbrojtur veten.

Vështirësitë me të cilat përballet sot Maqedonia, ngatërresat ndëretnike, fërkimet me fqinjët nuk burojnë nga konceptet e sotme politike, por janë pasojë e projekteve, interesave, gabimeve më të hershme. Pa e kuptuar gjenezën e tyre, nuk mund të zgjidhen problemet që pengojnë progresin dhe normalizimin e situatës.
Problemi i parë i Maqedonisë është pozita e rëndësishme gjeostrategjike e saj. Të gjithë, turqit, grekët, bullgarët, serbët dhe aleatët e tyre të ndryshëm, kanë synuar dhe synojnë ta kontrollojnë këtë hapësirë me peshë të madhe gjeostrategjike. Vetëm shqiptarët historikisht dhe aktualisht, nuk kanë tentuar që të hynë në beteja të këtilla gjeostrategjike, ngaqë për projekte të tilla nuk kanë mundësi politike, ekonomike, financiare, ushtarake etj. Ata, në mënyrë të ndrojtur kanë tentuar që të sigurojnë një grusht lirie për vete.

Ideja për shtet të pavarur që do të duhej të quhej Maqedoni, apo ndryshe, buron nga shekulli 19-të kur, me ndihmën e Rusisë, me Traktatin e Shën Stefanit, Bullgaria fitoi të drejtën që të aneksojë këtë hapësirë. Me këtë traktat, natyrisht se rrezikoheshin interesat gjeo-strategjike të grekëve, serbëve dhe aleatëve të tyre. Në Konferencën e Berlinit, Traktati i Shën Stefanit u anullua dhe Maqedonia, iu kthye Perandorisë Osmane. Me këtë vendim, qeveria e atëhershme bullgare me në krye Stambullovin nuk u pajtua, por duke mos pasur forcë për të kontestuar këtë vendim, veprimtarët bullgarë zgjodhën një strategji më sofistike, politikën e depërtimit paqësor, siç do të thoshte historiani i njohur, Ferdinand Schevil. Ky depërtim paqësor vendosej në një skemë të zbatuar që më herët. Në vitin 1870, përfaqësuesit bullgarë patën kërkuar nga sulltani që të emërojë një udhëheqës shpirtëror, në esencë kërkuan krijimin e kishës bullgare autoqefale. Miratimi i kësaj kërkese hapi rrugën për kërkesa të reja. Në vitin 1890 u kërkua leja që të hapen katër peshkopata bullgare në Maqedoni. Ekzarkët bullgarë në Maqedoni u treguan më të natyrshëm dhe kërkestarë sesa kleri i Stambollit, Athinës dhe Beogradit, kështu që ata filluan ta zgjerojnë rrjetin kishtar dhe arsimor në këto hapësira. Ky depërtim paqësor pat dimensionin e vet politik.

U krijua një lëvizje ilegale politike, VMRO që kishte si qëllim kryesor programor, krijimin e një shteti multietnik në hapësirën gjeografike të Maqedonisë, që do të funksiononte si Zvicra në Evropë. Sipas programit politik të kësaj lëvizje, në këtë Maqedoni si Zvicër e Ballkanit, do të bashkëjetonin në barazi të plotë bullgarët, shqiptarët, serbët, turqit, vllehtë etj. Në atë kohë të depërtimit paqësor nocioni Maqedoni për të gjithë kishte konotacion gjeografik dhe jo etnik. Me këtë program ata i bindnin edhe shqiptarët, që të marrin pjesë në kryengritjet që ata organizonin kundër perandorisë otomane. Këto kryengritje, të vogla a të mëdha dështuan radhazi, ngaqë vetë populli nuk kishte identitet të qartë dhe nuk dinin për se luftonin. Në kryengritjen e Ilindenit, morën pjesë edhe shqiptarët të cilët në kryesinë e “qeverisë “, “fituan” 1/3 e vendeve. Siç dihet kryengritja, Republika e pafat e Krushevës u shua me raprezalje makabre, që e demoralizoi jashtë mase popullatën që donte të lirohej nga zgjedha, por që nuk dinte se kah t‘ia mbante në këto udhëkryqe tragjike të Ballkanit.

Pas dështimit të këtyre projekteve për krijimin e Zvicrës në Ballkan, pas defetizmit të madh të popullit, filluan luftërat ballkanike. Në këtë raund të luftërave të përgjakshme mes popujve të Ballkanit, më të dëmtuarit dolën shqiptarët dhe më të shpërblyerit dolën grekët dhe serbët. Këta të fundit e pushtuan Maqedoninë dhe krijuan një Serbi të madhe në trajtë të Jugosllavisë. Kur serbët e morën kontrollin mbi Maqedoninë, në Manastir dhe Shkup ka pasur mbi 60% shqiptarë, ndërkaq sot në Manastir ka më pak se 5% shqiptarë, në Shkup afër 20%. Shumë shqiptarë u vranë ose me dhunë u shpërngulën në Turqi, ndërkaq një pjesë e tyre, të besimit ortodoks që flitnin në dialektin gegë u asimiluan fillimisht në serbë, pastaj në maqedonas. Kjo pjesë e popullit shqiptarë që maqedonasit e sotëm i quajnë “shkreti”, pasqyrojnë më së miri fatin e popullit shqiptar në këtë periudhë tragjike dhe në vijimësi.

Sot në këto pjesë të Ballkanit, e gjithë beteja politike zhvillohet në dy drejtime:

1. Si të çmontohet ekspansionizmi serb sidomos në hapësirat shqiptare dhe;
2. Ç‘të bëhet me Lindjen, sajimin e një kombi të ri që identifikohet me emrin maqedonas, duke krijuar kështu një mal problemesh me trashëgiminë kulturore, fetare, politike të popujve të ndryshëm dhe ç‘ të bëhet me të drejtat e shqiptare që vazhdimisht nëpërkëmben?
Këto probleme që kanë të bëjnë me interesat hegjemoniste ekspansioniste serbe apo me depërtimin paqësor të bullgarëve, janë brumosur në konferenca të ndryshme që lehtë instalohen dhe shumë vështirë çmontohen.

Për konfuzionet e atëhershme politike të shqiptarëve, ne sot e gjithë ditën paguajmë haraç. Për vlerësimet, për gabimet tona të sotme, a do të mbetet kush të paguajë?

Luftërat mes popujve të Ballkanit si zakonisht, shkaktojnë kriza mes faktorëve të mëdhenj politikë. Orekset serbe për territore dhe dominim shkaktuan Luftën e Parë Botërore, ashtu si më vonë Luftën e Dytë Botërore, ndërkaq të Tretën nuk ia dolën dot.

Si aleate me forcat ngadhënjyese, kryesisht me Francën, serbët fituan si peshqeshe lufte, Kosovën që e pagëzuan Stara Serbia (Serbia e Vjetër), Maqedoninë-Juzhna Serbia (Serbia Jugut), Vojvodinën, Bosnjën, madje edhe Kroacinë dhe Slloveninë. Të gjitha këto peshqeshe u fituan në konferenca të ndryshme, por meqë këto vendime ishin të padrejta, shteti që u themelua hasi në pengesa të mëdha që gjithmonë përfundonin me rrezikun e shpërbërjes. Derisa të arrihej kjo pikë e vlimit, padrejtësitë ndaj shqiptarëve vinin varg e vistër. Politika agrare dhe nacionalizimi e pasurisë i lente shqiptarët pa mundësi normale për mbijetesë. Krahas kësaj hartoheshin plane për shfarosje, akulturim dhe shpërngulje. Problemet politike me të cilat sot përballen shqiptarët, janë pasojë e vendimeve të padrejta historike që edhe sot e kësaj dite nuk anulohen.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Maqedonia e fitoi statusin e republikës në kuadër të Jugosllavisë Federative. Në të mbetën shumë shqiptarë të cilëve, në përputhje me sistemin e vlerave komuniste dhe jo dashamirësisë së jugosllavëve, u premtuan të drejta të barabarta duke filluar nga shkollimi në gjuhën amtare, përdorimi i gjuhës amtare në administratë, përdorimin e simboleve kombëtare e deri te përfaqësimi adekuat etj. Në ato fillime u hapën institucione të kulturës siç ishte teatri i kombësive, emisione në gjuhën shqipe në radio, gazeta javore “Flaka e Vëllazërimit” etj.

Në Maqedoni gjithmonë fillimet ishin të mbara, por fundi gjithmonë ishte përtharës dhe ndëshkues. Idili i shkurtër i viteve ‘70-të, përfundoi me luftën e egër kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” në vitet 80-të. Në atë kohë nacionalizëm quhej përdorimi i gjuhës amtare, pagëzimi i fëmijëve me emra shqiptarë, përdorimi i toponime në gjuhën shqipe, përdorimi i sufikseve të gjuhës shqipe etj., prandaj u mbyllën shumë shkolla në gjuhën shqipe dhe u hapën paralele të përziera, ku, në emër të ruajtjes së bashkëjetesës mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase, u ndërruan tekstet shkollore, u ç‘regjistruan shumë ekipe sportive, u përjashtuan nga puna shumë shqiptarë që nuk pajtoheshin me këto tendenca etj. Në sportelet e institucioneve komunale ku regjistroheshin të porsalindurit, ekzistonte lista e emrave të ndaluar shqiptarë. Këto forma të ngufatjes ekzistonin vetëm në Maqedoni, kështu që ajo u shndërrua në poligon ku bëheshin eksperimente për efikasitetin e masave parandaluese. Mjetet që tregoheshin të suksesshme pastaj zbatoheshin në Kosovë. Të gjitha këto dihen, por harrohen. Harresa ndikon që këto metoda në mënyrë ciklike të përsëriten.

Pas viteve të 90-ta në skenën politike dhe historike, u shfaq demokracia dhe pluralizmi. Shpresat e shqiptarëve për liri dhe barazi ishin të mëdha dhe mobilizuese. U krijuan parti politike kombëtare që me zell të madh hynë në punë për t‘i korrigjuar gabimet e së kaluarës. Maqedonasit kërkonin lojalitet të njëanshëm, të shqiptarëve ndaj shtetit, por jo edhe të shtetit ndaj shqiptarëve. Kjo politikë e shndërroi kauzën shqiptare në retorikë. Në parlament zhvilloheshin beteja të zjarrta politike që gjithmonë përfundonin me votime të ftohta. Mazhoranca etnike maqedonase e mbivotonte minorancën etnike shqiptare. Atë që Millosheviçi arrinte me tanke, Gligorovi arrinte me procedurë demokratike, madje ishte edhe i lavdëruar për mençuri dhe urtësi. Pozicionimi i moderuar dhe konstruktiv i shqiptarëve trajtohej si meritë e Gligorovit. Po të kishte pasur në Maqedoni të paktën 20% serbë ai, jo vetëm që nuk do të mund të shtirej, por as që do të guxonte të mendojë për pavarësi.

Kjo fazë zgjati deri në vitin 1998, kur në pushtet erdhën partitë jokomuniste. Gjatë këtij koalicioni u arrit marrëveshja që krahas qytetarit edhe shteti duhet të tregojë lojalitet ndaj qytetarëve. Në këtë periudhë u arritën përparime të paimagjinueshme, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë maqedonasit. Në Maqedoni pak nga pak filluan të çmontoheshin strukturat projugosllave, përkatësisht proserbe, që gjithmonë këtë republikë e trajtonin si zonë eksperimentale për interesat jomaqedonase. Shqetësimi nga ky proces agravoi gjatë eksodit kosovar, kur këto forca nuk arritën ta vënë në veprim korridorin për shpërngulje të shqiptarëve në vende të largëta. Ideja e korridorit ishte e vjetër. Në vitet 50-të dhe 60-të, Maqedonia shërbente si stacioni grumbullues prej nga qindra-mija shqiptarë dhe boshnjakë, shpërnguleshin për në Turqi. Ky ishte një plan i organizuar me përpikmëri. Në atë kohë vetëm në Shkup u hap konsullata turke, që krijonte lehtësira administrative për shpërngulje. Jepte “visikat” (vizat) e famshme për shpërngulje sipas marrëveshjes paraprake (para Luftës së Dytë Botërore) serbo-turke, që u përtëri edhe gjatë periudhës së regjimit të Titos.

Në vitin 2001 në emër “të çlirimit të kombit nga zgjedha sllavomaqedonase”, siç arsyetohej motivi i kryengritjes, filloi konflikti ushtarak shqiptaro-maqedonas. Kjo luftë përfundoi me “Marrëveshjen e Ohrit”, që do të duhej t‘i eliminonte padrejtësitë e së kaluarës dhe të krijonte kushte për krijim të një shoqërie moderne, ku të gjithë qytetarët dhe bashkësitë etnike do të kishin të drejta dhe shanse të barabarta. Në marrëveshje u arrit pëlqimi që karakteri multietnik i shoqërisë të pasqyrohet në konceptin e shtetit, që gjuha shqipe të trajtohet si gjuhë zyrtare, që shqiptarët të përfaqësohen në mënyrë adekuate në administratën shtetërore, që pushteti të decentralizohet, që luftëtarët të amnistohen, që vendimet të merren me konsensus, etj. Ç’ka u arrit nga gjithë kjo? Gjuha shqipe ende nuk është zyrtare, përfaqësimi adekuat është vetëm propagandë boshe, decentralizimi është zëvendësuar me dekoncentrim, mekanizmi i vetos nuk është aktivizuar asnjëherë, shumë luftëtarë nuk janë të amnistuar dhe trajtohen si kaçakët dikur, të cilët gjithmonë kanë qenë në pritje e sipër të arrestimit të përbuzur ose të vrasjes.

Në Maqedoni, që pati përkrahjen e gjithë shqiptarëve gjatë tërë historisë së saj të shkurtër, sot kemi prapë avazin e vjetër. Shqiptarët jo vetëm që nuk e arritën barazinë në sferën kulturore, por as edhe ekonomike. Nga 200 firmat ekonomike më të suksesshme të vitit 2004 vetëm dy janë shqiptare, pra vetëm 1%, “Renova” e Tetovës (e 50-ta) dhe “Bunar Petrolli” i Gostivarit (e 133-ta), prona e përbashkët shoqërore dhe shtetërore 99% kaloi në duart e maqedonasve, në Maqedoni nuk ka asnjë bankë me kapital shqiptar. Kjo situatë nuk është vetëm e trashëguar, por ajo rikrijohet sërish. Para tre javësh u ndërruan 32 drejtorët e klinikave të Shkupit. Nuk u emërua asnjë shqiptar, ose ta marrim si shembull edhe më ilustrues, N.P që ekonomizon me banesa dhe lokale afariste. Në drejtorinë e saj, janë të punësuar 149 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar, i biri i një deputeti i cili tash është shumë i kënaqur me rrjedhat, në njësinë rajonale të Shkupit nga 200 të punësuar, vetëm 8 janë shqiptarë, në atë të Tetovës nuk ka asnjë shqiptar, në atë të Gostivarit po ashtu asnjë shqiptar, në atë të Kërçovës vetëm 1 shqiptar, në atë të Strugës asnjë shqiptar etj. Situata është identike edhe me buxhetin: ekonomikisht shqiptarët janë në dimensionin e 1%-it.

Procesi i bashkëjetesës në Maqedoni fillon me projektet maqedonase, me premtimet e tyre dhe përfundon me mashtrimin e shqiptarëve të cilët gjithmonë tregojnë dashamirësi dhe mirëkuptim. Një përqindëshi jonë në listën e 200 firmave më të suksesshme, tregon pasqyrën reale të pozitës së shqiptarëve në shtet. Lufta që filloi arsyetohej me premtime për ndërrime radikale të raporteve. Sot ata kërkojnë kohë për t‘i realizuar premtimet e dhëna, por harrojnë se ata, në emër të transformimeve imediate ia morën kohën të tjerëve, ndërprenë një proces që filloi të bëjë ndërrime strukturore dhe strategjike. Kjo gjendje nuk mund të fshihet me manifestime simbolike, me të vërteta gjysmake, apo me gënjeshtra të kulluara. Nuk kemi nevojë, as interes kombëtar, as moral dhe as qytetërues, të pohojmë se “Marrëveshja e Ohrit” po realizohet, se UT-ja është zyrtarizuar, se dita e flamurit paska fituar statusin e festës zyrtare etj., por zëshëm duhet të alarmojmë se sërish fillon procesi i mashtrimit. Përdoret e njëjta metodë, ofrohen të drejta të pashfrytëzueshme, që shërbejnë për të fshehur realitetin e hidhur. Atë mund ta konstatojmë vetëm me një pyetje shumë konkrete: sa përqind e rinisë shqiptare është e punësuar dhe çfarë janë perspektivat e saj.

Të gjitha këto të dhëna synojnë të hedhin dritë mbi naivitetin shqiptar, mbi pozicionimin e dobët në momente vendimtare historike, mbi strategjinë tonë inkonzistente kombëtare, mbi koketimet tona politike që përfundojnë me humbjen e interesave vitale kombëtare. Por jo vetëm kaq. Ne jo vetëm që humbim, por dalim edhe të koritur, radikal dhe të dyshimtë. Si të tejkalohet kjo situatë? Shumë lehtë dhe në mënyrë shumë efikase. Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, partitë shqiptare të kushtëzojnë hyrjen në parlament dhe institucione me verifikim real të pozitës së tyre në sistem.

Shqiptarët mund të kenë interes që të ekzistojë një shtet i pavarur si Maqedonia, por jo me çdo kusht, jo me çmim të ngufatjes së pashembullt të interesave të tyre kombëtare në fushën e kulturës, ekonomisë, arsimit, politikës etj. Një politikan shqiptar kur merr vendime nuk guxon të harrojë gjenezën e problemeve: Traktatin e Shën Stefanit, anulimin e tij në Konferencën e Berlinit, kryeministrin bullgar, Stambullov, projektin e tij për depërtim paqësor, katër peshkopatat bullgare të hapura në Maqedoni, VMRO-në, projektin për një Maqedoni si Zvicra e Ballkanit, politikat agrare racionalizuese, shpronësimin e shqiptarëve, eksodet e pakthyeshme në Turqi, emigrimet në Evropë dhe Amerikë, zhdukjen e shqiptarëve ortodoksë gegë, burgosjet dhe vrasjet, paralelet e përziera, ndalesat e emrave, përdorimit të gjuhës shqipe, të flamurit, deformimin e Marrëveshje së Ohrit, një përqindëshin në sferën e ekonomisë, zhvillimin marramendës të maqedonasve dhe përtharjen e shqiptarëve dhe faktin se askund në botë, nuk ekziston një shtet i këtillë me mangësi të pakapërcyeshme dhe ambicie kaq të mëdha.

Deri sa e shkruaj këtë tekst në Ohër me ftesën e presidentit Cërvenkovski,u mbajt takimi në mes të presidentëve të shteteve sllave të Ballkanit. Në këtë samit të seleksionuar, nuk është ftuar presidenti shqiptar. Çka fshihet prej tij? Ose për kë i ndezën qirinjtë ata, presidentët shekullarë që shtyhen të hynë në Evropë?

*ribotim i tekstit