Meidani: “Erdha në Shkup me një listë takimesh, po iki me një listë miqsh”, prekë me fjalimin e fundit: Shqiperinë e gjeta mes jush

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në Shkup në këtë detyrë, gjatë pritjes solemne të organizuar me rastin e 28 Nëntorit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një fjalim të mbushur me emocione dhe mesazhe për historinë, identitetin dhe bashkimin kombëtar, Meidani bëri të ditur se mandati i tij diplomatik po përfundon, ndërsa ndau me të pranishmit reflektimet për përvojën e tij në Maqedoninë e Veriut. Ai e nisi fjalën duke rikujtuar shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, dhe sakrificën e 40 burrave që vunë themelet e shtetit shqiptar në rrethana të vështira historike.

“Njëqind e katërmbëdhjetë vjet më parë, në Vlorë, dyzet burra nga të gjitha trojet shqiptare vunë emrin poshtë një dokumenti prej pak rreshtash. Shqipëria, shkruan ata, do të ishte ‘e lirë dhe e mosvarme’”, u shpreh ambasadori.

Meidani theksoi se Shqipëria nuk mund të përkufizohet vetëm përmes kufijve gjeografikë, por përfaqëson historinë, kulturën, gjuhën dhe kontributin e shqiptarëve kudo në botë. Në fjalimin e tij ai përmendi figura si Skënderbeu, Nënë Tereza, Çajupi, Faik Konica, Ismail Kadare, Vaçe Zela, Ferid Murati, Dua Lipa dhe Mira Murati, duke i cilësuar si pjesë të identitetit dhe përfaqësimit shqiptar në arenën ndërkombëtare