Mehazi: Mali i Zi me 600 mijë banorë shtet i pavarur, ndërsa 600 mijë shqiptarë të jenë pakicë në Maqedoni

Profesori dhe opinionisti nga Tetova, Sulejman Mehazi, përmes një postimi në gjuhën maqedonase, ka shprehur qëndrimin e tij kritik mbi pozicionin politik dhe kushtetues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e krahasuar atë me realitetin shtetëror të Malit të Zi.

Në vijim, qëndrimi i plotë i profesor Mehazit:

“Mali i Zi me 600.000 banorë është shtet i pavarur, ndërsa 600.000 shqiptarë të jenë pakicë në RMV.

Gabojnë ata që mendojnë se Maqedonia e Veriut është shtet nacional; politika e sotme globale dhe fuqitë e mëdha luftojnë dhe janë kundër shteteve nacionale për të dominuar mbi shtetet multietnike. SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga qeveria e RMV-së që forca e shtetit të jetë më e fortë se forca nacionale, shteti të jetë në vend të parë, kurse nacionalja në vend të dytë.
Nëse qeveria e RMV-së e udhëhequr nga Mickoski dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, është e pashmangshme që në Kushtetutë të përfshihet edhe pakica bullgare, sepse nuk është logjike dhe e arsyeshme që pakicat serbe, turke, rome, boshnjake, të cilat janë më pak në numër se ajo bullgare, të jenë të përfshira në Kushtetutën e RMV-së, ndërsa bullgarët, të cilët janë shumë më të shumtë në numër, të jenë jashtë Kushtetutës.
Në atë grup të pakicave në RMV nuk i përfshimë shqiptarët, sepse ata janë shumicë prej 600.000 banorësh — aq sa ka edhe Mali i Zi, i cili së shpejti do të bëhet anëtar i BE-së.
Është absurde që Mali i Zi me 600.000 banorë të jetë shtet i pavarur, ndërsa 600.000 shqiptarë të jenë pakicë në RMV.”

postimi kliko KETU