Kur Odisea shqiptar i Hollywood-it vizitoi Shqipërinë: Bekim Fehmiu në pranverën e vitit 1972

Aktori i njohur shqiptar, Bekim Fehmiu, një nga emrat më të spikatur të kinematografisë jugosllave dhe ndërkombëtare, vizitoi Shqipërinë në pranverën e vitit 1972, në kulmin e famës së tij artistike.

Gjatë qëndrimit në vend, Fehmiu vizitoi disa nga qytetet dhe qendrat më të rëndësishme kulturore e historike të Shqipërisë, mes tyre Tiranën, Durrësin, Krujën, Shkodrën, Gjirokastrën, Sarandën dhe Butrintin.

Sipas materialeve të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), vizita e tij pati një jehonë të veçantë, pasi ndodhi në një periudhë kur kontaktet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin të kufizuara. Prania e një figure me përmasa ndërkombëtare si Bekim Fehmiu u konsiderua një ngjarje e rëndësishme kulturore.

Gjatë vizitës, aktori u takua me figura të njohura të kulturës shqiptare, përfshirë shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Ai mori pjesë në aktivitete kulturore dhe vizitoi institucione artistike e historike, duke shprehur interes të veçantë për jetën kulturore shqiptare.

Një detaj domethënës i asaj vizite ishte dëshira e Bekim Fehmiut për të luajtur një ditë në një film shqiptar. Megjithatë, kjo dëshirë nuk u realizua asnjëherë.

Bekim Fehmiu njihej shpesh si “Odisea shqiptar i Hollywood-it”, për shkak të rolit të tij të famshëm si Uliksi në ekran. Njëri nga djemtë e tij mban emrin Uliks, ndërsa djali tjetër quhet Hedon.

Në një intervistë të dhënë për gazetën beograde Alo, Hedon Fehmiu ka kujtuar një dëshirë të veçantë të të atit:

“Dëshira e babait ishte që fshati Lumbardh i Prizrenit të ishte vendi ku do të prehej përjetë trupi i tij”, ka deklaruar Hedon Fehmiu.

Ai shtoi se Bekim Fehmiu i kishte thënë shpesh bashkëshortes së tij që, kur të vinte ai moment, hiri i tij të shpërndahej në Lumbardhin e Prizrenit, pasi e donte shumë atë qytet dhe e konsideronte si shtëpinë e tij të dytë.

Vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri mbetet një episod i veçantë në historinë e marrëdhënieve kulturore shqiptare dhe një kujtim i rëndësishëm i lidhjes së aktorit me vendin dhe identitetin e tij shqiptar./KultPlus.com

Burimi: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF).