Mediat turke shkruajnë se Vedat Muriqi do të kthehet në Turqi

Sulmuesi Vedat Muriqi mund të kthehet të luajë sërish në Fenerbahce, sipas mediumit turk “Ajansport”.

Drejtuesit e skuadrës turke besojnë se mund ta bindin Muriqin t’u bashkohet gjatë verës.

Mediumet në Turqi kanë bërë të ditur po ashtu se Fenerbahce tashmë po bën gati ofertën për Mallorcan dhe sulmuesin 29-vjeçar.

“Muriqi shihet si zëvendësim ideal për belgun Michy Batshuayi, të cilit kontrata me Fenerbahçen i skadon këtë verë”, shkruan sajti turk.

Sulmuesi i Kosovës me Mallorcan ka kontratë deri në vitin 2027, ndërsa këtë sezon me fanellën e ekipit spanjoll ka shënuar pesë gola dhe ka bërë dy asistime.

Muriqi ishte te Fenerbahce në edicionin 2019/2020, përpara se të transferohej tek Lazio.

Ai ka luajtur edhe për klube si Rizespor, Gençlerbirligi, Giresunspori, Teuta, Besa (Kavajë) dhe Liria ku e nisi karrierën.