Mediat kalojnë në semafor të kuq!

Pse mediat janë sensacionale dhe nuk respektojnë etikën profesionale kur raportojnë për ngjarje të vdekjes në trafik? A është etike dhe profesionale shpërndarja e videos, në të cilën shihet se si goditet nga makina i riu 25 vjeçar nga Luboteni i Shkupit? Pse mediat e nxorën në plan të parë viktimën dhe jo shkaktarin e vdekjes apo faktorët që shkaktojnë ngjarje të këtilla me përmasa të tmerrshme?

Shkruan: ARTA TAHIRI  

Aksidenti i rëndë i trafikut, në të cilin humbi jetën tragjikisht i riu Musli Veseli, ka rihapur për të satën herë debatin se sa janë mediat etike dhe profesionale kur raportojnë për ngjarje të këtilla tragjike. Aq më tepër, që nga kjo ngjarje, portale dhe media të ndryshme, duke mos respektuar “sinjalizimin etik dhe profesional të mediave” njësoj si vrasësi i të riut që hyri në semafor të kuq, publikuan videon e aksidentit.

Mediat në gjuhën shqipe, duke marrë parasysh se rasti ka ndodhur në pjesën e Shkupit e banuar me shqiptarë, i kanë dhënë më shumë hapësirë kësaj ngjarjeje, ndërsa në mediat në gjuhën maqedonase nuk ka marrë vëmendjen e njëjtë, gjë që ka ndikuar që edhe videoja të mos shpërndahet aq shumë në hapësirën onlajn dhe rrjetet sociale.

Si gjithmonë, arsyetimi i atyre që shpërndajnë video të këtilla të rënda, qofte edhe me paralajmërimin se “pamjet që transmetohen janë të rënda”, është në vijën e prezantimit të ngjarjes në mënyrë objektive, pra të pacensuruar, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e publikut dhe rritjen e kujdesit nga shoferët.

Por, publikimi i kësaj videoje është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve , në të cilin thuhet qartë dhe saktë “Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga sensacionalizmi”.

Në Udhëzimet për raportim etik të mediave online, që trajton zbatimin e Kodit të Gazetarëve në sferën online, thuhet:

Temat që lidhen me tragjeditë personale do të trajtohen gjithmonë me kujdes, ndërkaq personave të prekur nga tragjedia duhet t’iu qaseni me kujdes dhe diskrecion. Asnjë emër ose fotografi e viktimave nuk do të publikohet kur raportohet për aksidente, vepra penale, vetëvrasje ose dhunë në familje. Nuk do të publikohen as të dhëna nga të cilat në mënyrë indirekte do të mund të zbulohet identiteti i viktimës ose i autorit të krimit, para se të shpallet zyrtarisht nga institucionet kompetente.

Dhe, pikërisht sensacionalizmi, i cili sjell klikime dhe rrit ndjekjen në rrjetet sociale, gjë që sjell përfitime materiale, ka qenë motivi kryesor i shpërndarjes së “pakontrolluar” të kësaj videoje.

Kjo, për shkakun se fokusi është vënë tek viktima, tek identiteti i tij, tek fakti që ka qenë esnaf i Çarshisë së Shkupit, e jo tek shkaku dhe faktori që ka sjellë deri te kjo ngjarje e tmerrshme. Mediatizimi i kësaj ngjarjeje me video u shkakton dhimbje të shtuar familjarëve të viktimave: prindërve, motrave, vëllezërve dhe të afërmve tjerë.

Në anën tjetër, publikimi i videove të këtilla, përveç se e bën kureshtar publikun, ndikon tepër negativisht ndaj aspektit psikologjik të kategorive të ndryshme të tij, siç janë fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 16 vjeçare, por edhe te ata që janë të ndjeshëm dhe që vuajnë nga sëmundje të zemrës.

Kur ndodhin raste të këtilla, mediat duhet të merren me shkakun, e jo vetëm me pasojën, duhet të bëjnë hulumtime se pse ndodhin kaq shpesh ngjarje të këtilla në Çair të Shkupit, pse gjatë verës nuk ka aspak kontroll gjatë ngasjes së makinave. Duhet të ngrihet çështja se pse Policia e trafikut nuk arrin të vendosë rend në lagjet këndej Vardarit, kush e pengon rendin dhe promovon kaosin?

Ndryshe, kjo vdekje e papritur do të mbetet vetëm një ngjarje e hidhur për familjen, e cila flet për pasigurinë fizike në vendin tonë, por edhe që reflekton ambientin joetik, në të cilin funksionojnë mediat e sferës onlajn, që duke rritur ndikimin e tyre, imponojnë në rritje konstante standarde joprofesionale dhe joetike edhe në sistemin e mediave tradicionale që rregullohen me ligj. Fakti që portalet nuk janë të rregulluara me Ligjin e Mediave, nuk nënkupton se ata kanë liri të pakufishme, duke tejkaluar edhe pragun maksimal të etikës profesionale.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut