Mediat gjermane: Dortmundi s’është plotësisht i bindur për Rashicën

Mediumet gjermane raportojnë se përkundër interesimit që Borussia Dortmundi e ka shfaqur këtë vit për Milot Rashicën, gjiganti gjerman s’është plotësisht i bindur për yllin kosovar të Werder Bremenit.

Shkaku i mungesës së aktiviteteve sportive, tani bota e futbolli po dominohet nga spekulimet për transferime. Borussia Dortmundi është ndër klubet e përfolura për një numër të madh të lojtarëve, veçanërisht për fatin e lojtarit të vet, Jadon Sanchos.

Përderisa mediumet botërore raportojnë se Sancho ka shumë mundësi të largohet në fund të këtij sezoni, Dortmundi ka filluar kërkimin për një zëvendësues për anglezin e talentuar. Ylli i Ëerder Bremenit, Milot Rashica, ka qenë lojtari që është përfolur më së shumti si zëvendësue i Sahmchos gjatë vitit të fundit.

Rashica është ndër gjërat e vetme pozitive që ka dalë nga skuadra e Bremenit këtë sezon. Gjatë 24 ndeshjeve të zhvilluara, ai i ka shënuar shtatë nga 27 golat e të gjithë skuadrës deri më tani. Përkundër që kjo shifër mund të mos duket mbresëlënëse, në Gjermani ajo po vlerësohet shkaku i krizës në të cilën po kalon skuadra e Bremenit në përgjithësi.

Kosovari tani synon ta bëjë hapin e radhës në karrierën e tij, pavarësisht se a do ta dërgojë ky hap jashtë Gjermanisë apo do të mbetet në Bundesligë. Drejtuesit e Dortmundit kanë qenë duke e mbikëqyrur atë si një lojtar që mund të shtojë aspekte të mira si shpejtësinë e tij në kundërsulmet e rrezikshme të klubit.

Sport1 raporton se Rashica është bërë temë në Dortmund, megjithatë jo të gjithë drejtuesit janë 100 për qind të bindur për të, pasi që nuk janë të sigurt nëse ai do të mundë ta zëvendësojë një lojtar si Sancho.

Këtë transferim e komplikon edhe më shumë kriza që e ka sjellë koronavirusi në botën e futbollit, pasi që dëmet financiare mund t’ua pamundësojnë klubeve ta blejnë Sanchon, duke ia shuar kështu potencialisht gjasat Rashicës të kalojë në Dortmund.