Gjermania kërkon ndihmë nga mjekët imigrantë për luftën kundër koronavirusit

Autoritetet shëndetësore në Gjermani u kanë bërë thirrje imigrantëve që kanë kualifikime mjekësore që të ofrojnë ndihmë për ta luftuar koronavirusin, raporton “The Guardian”.

Për shkak se një numër i mjekëve dhe infermierëve po infektohet ose po vendoset në karantinë, mungesa e stafit mjekësor po shkakton presion ndaj sistemit shëndetësor që në kushte normale ka burime të mjaftueshme.

Nismat qeveritare kanë bërë që numri i shtretërve në sektorët e kujdesit intensiv të shtohet nga 24 mijë në 40 mijë. Shumica e këtyre shtretërve janë të pajisur me ventilatorë. Stafi mjekësor është duke u ritrajnuar dhe operacionet jourgjente në mbarë vendin janë anuluar, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, sistemi shëndetësor ende ka nevojë për më shumë personel mjekësor për t’u kujdesur për pacientët, për rritje të shkallës së testimeve dhe vëzhgim të personave që kanë pasur kontakte me të infektuarit.

Tashë është hapur një faqe në internet, me të cilën po synohet vendosja e kontakteve mes institucioneve që kanë nevojë për staf mjekësor dhe vullnetarëve të kualifikuar që dëshirojnë të ofrojnë ndihmë.

Në krye të kësaj nisme është shteti lindor i Saksonisë, i cili po kërkon mjekë edhe në mesin e mijëra refugjatëve që kishin shkuar atje në vitin 2015. Sipas një grupi të mjekëve sirianë në Gjermani, të hapur në rrjetin Facebook, 14 mijë mjekë sirianë janë duke pritur që kualifikimet e tyre të njihen nga autoritetet.