Për një muaj me radhë, mijëra qytetarë kanë vijuar protestat në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për korrupsion, mungesë transparence dhe favorizim të projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe ndalimin e projektit, ndërsa jehona e protestave ka kaluar kufijtë e Shqipërisë.
Së fundmi, televizioni publik gjerman ZDF i ka kushtuar një shkrim zhvillimeve në vend, duke pasqyruar akuzat e protestuesve dhe rezistencën qytetare që vijon prej gati një muaji.
“Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, të shtunën në mbrëmje mijëra njerëz kanë protestuar sërish kundër një projekti të planifikuar për një kompleks luksoz në bregdetin e Adriatikut.
Resorti luksoz i planifikuar do të ndërtohet në një zonë të mbrojtur natyrore pranë Zvërnecit, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Tiranës. Pas këtij projekti ndërtimor qëndron një kompani e Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Trump.
Mbrojtësit e mjedisit paralajmërojnë se kjo zonë është habitat për më shumë se 200 lloje shpendësh, ndër ta flamingot dhe pelikani kaçurrel i rrezikuar. Ata kritikojnë një ndryshim të ligjit nga viti 2024, sipas të cilit ndërtimi i hoteleve luksoze në zonat e mbrojtura është bërë i mundur. Qeveria shqiptare e quan këtë ndryshim një sqarim të statusit të mbrojtjes.
Prej gati një muaji ka protesta të përsëritura. Protestuesit e akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama, ndër të tjera, për korrupsion dhe mungesë transparence – dhe kërkojnë, ndër të tjera, dorëheqjen e Ramës. Ai dhe qeveria e tij, pavarësisht protestave të forta, i janë përmbajtur projektit të zhvillimit të pasurive të paluajtshme” thekson ZDF.



