Media gjermane: Qortimet e buta vetëm e trimërojnë Vuçiqin të ndërsejë huliganët kundër KFOR-it

E përditshmja konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka botuar të shtunën një koment në të cilin thekson se krizat në veri të Kosovës dhe në Bosnjë-Hercegovinë, ku lideri i serbëve Millorad Dodik po përpiqet të demontojë këtë vend, janë të ndërlidhura mes vete. Sipas FAZ Serbia po i teston kufijtë sa larg mund të shkojë. Beogradi nuk ka hequr kurrë dorë nga “Serbia e Madhe”. Ky projekt tani mban vulën e një nocioni tjetër, atë të “botës serbe”. Ky formulim jo rastësisht është huazuar nga modelet ruse.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” nënvizon se Serbia aktualisht është duke e furnizuar Ukrainën me armë, andaj BE dhe SHBA-të nuk janë të gatshme t’i bëjnë presion Beogradit. Qeveria e Kosovës, sipas FAZ, nuk po i lexon si duhet shenjat e kohës. Raportet me SHBA-në, mbrojtësen më të rëndësishme të projektit të shtetësisë së Kosovës, kanë arritur pikën më të ulët. Kjo gazetë supozon se raporti me SHBA-të mund të riparohet ndoshta lehtë nëse në Prishtinë do të kishte pak fleksibilitet. Në Washington dhe Bruksel ekziston pikëpamja se pakicës serbe në Kosovë duhet t’i lejohet themelimi i një bashkësie të komunave për të vetëqeverisur jetën e përditshme. Paraardhësi i kryeministrit Albin Kurti, i akuzuari për krime të luftës Hashim Thaçi, ka nënshkruar një marrëveshje për themelimin e bashkësisë së komunave serbe.

Gazeta thekson se pranimi i asociacionit të komunave serbe është i vështirë për Kosovën, sepse Prishtina me të drejtë mund të pyes se çfarë fiton Kosova si kundërshpërblim nëse edhe njëherë i zgjeron të drejtat edhe ashtu të mëdha të pakicës serbe. Shqetësimet në Prishtinë se asociacioni mund të paraqes rrezik për shtetin ashtu si republika e serbëve në Bosnjë, sipas FAZ, janë të tepruara. Pakica serbe në Kosovë numerikisht nuk e ka fuqinë ta shkatërrojë shtetin kosovar.

BE, sipas gazetës gjermane, duhet ta pyes veten nëse masat e paralajmëruara ndaj Kosovës janë proporcionale. Të kërcënosh Kurtin me sanksione dhe ta lësh Dodikun, njeriun më të afërt të Putinit në Europë, të papenguar në demotimin e Bosnjës, është qasje jo e bindshme. Po ashtu qortimet e buta vetëm e trimërojnë Aleksandar Vuçiqin të ndërsejë huliganët e tij kundër ushtarëve të NATO-s. Po ashtu jo të gjitha kritikat ndaj Prishtinës janë të bazuara. Kurti disa herë është treguar i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen e negociuar mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Vuçiq ka refuzuar sepse ka pak arsye të frikësohet. Paralajmërimi se ai po e rrezikon “perspektivën europiane” nuk funksionon, sepse ai e di se BE nuk ka apetit për pranimin e anëtarëve të rinj. Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të arrihet së shpejti. Kur Greqia dhe Maqedonia e Veriut e zgjidhën “konfliktin për emrin”, kjo nuk u arrit falë BE-së, por falë qeverive në Athinë dhe Shkup, të cilat vërtet dëshironin një pajtim.