Me urdhër të Gjykatës së Posaçme në Hagë arrestohet ish pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, njoftuan të martën për arrestimin e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte.

Në një njoftim të këtyre dhomave thuhet se autoritetet belge arrestuan Pjetër Shalën, në bazë të një fletarrestimi dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës së Posaçme të Kosovës, me seli në Hagë.

Në njoftim thuhet se ai do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit në objektin e paraburgimit në Hagë.

Dhomat e Specializuara që ndryshe njihen si Gjykata e Posaçme trajtojnë pretendimet për krime lufte të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tashmë në Hagë ndodhen edhe pesë ish zyrtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët janë arrestuar në nëntor të vitit të shkuar.

Në shtator u arrestua edhe Salih Mustafa.

Që të gjithë akuzohen për krime lufte, akuza që ata i kanë hedhur poshtë.

Gjykata e Posaçme u themelua në fillim të muajit gusht të vitit 2015, nga parlamenti i Kosovës, ndërsa themelimi i saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.