Me sukses është shmangur një skandal eventual! Siljanovska në Samitin në Shkup e shmangu përdorimin e emrit të shtetit

Dy ditët e fundit, pikërisht pas vizitës së kreut të diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis dhe deputetes Aleksandra Papadopoulu, në publik u krijua frikë se do të ndodhte një incident diplomatik për shkak të një reagimi të mundshëm të përfaqësuesve grekë për eventualisht mospërdorimin e emrit kushtetues të shtetit. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi mëngjesin e sotëm pati takim me zëvendësministren Papadopoulu, por në njoftim nuk thuhet nëse gjatë bisededës ajo e ka ngritur çështjen e përdorimit të emrit kushtetues në Kuvendin e Maqedonisë.

 “Zëvendësministrja e MPJ-së greke ka uruar kryetarin Gashi për zgjedhjen e tij në këtë post, duke thënë se Maqedonia e Veriut ka një mik të sinqertë në Greqi. Ky, tha Papadopulu, është mesazhi që po ju sjell nga e gjithë lidershipi i Greqisë – se ne jemi miq, fqinjë, aleatë, partnerë në NATO dhe një ditë do të jemi partnerë edhe në BE”, thonë nga Kabineti i kryeparlamentarit.

Çështja rreth përdorimit të emrit kushtetues të shtetit nuk ka qenë pjesë e bisedimeve mes Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Jorgos Gerapetritis në takimin e djeshëm në kuadër të takimit ministror të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore. Ata u ulën pranë njëri-tjetrit në samit dhe aty ishte edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Aleksandra Papadopulu, por Siljanovska gjatë gjithë kohës shmangu përdorimin e emrit të vendit. Atmosfera ishte e këndshme dhe mendoj se ne ballkanasit mund të kuptohemi kur është e nevojshme, komentoi Siljanovska për takimin me Gerapetritisin.

 “Jo, nuk e hapi temën, ishim ulur pranë njëri-tjetrit. Unë jam shumë e kënaqur që ai erdhi, ne lamë hapësirë, sepse fluturimi u vonua, që ai të marrë fjalë i fundit. Mesazhet e tij ishin për rajonin se ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Mendoj se atmosfera ishte e këndshme, miqësore”, deklaroi presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

Siljanovska ishte e bindur se me mospërdorimin e emrit kushtetues nuk e shkel Kushtetutën dhe mendon se kjo nuk duhet të shkaktojë probleme.

 “Së pari nuk mendoj se po thyej Kushtetutën, siç thoni ju, nuk mendoj se mospërdorimi siç thoni, i emrit kushtetues mund të sjellë probleme. Është e vërtetë që çdo deklaratë e njerëzve të politikës, e atyre në funksione interpretohet si një akt zyrtar, por secili prej nesh e ka edhe Janusin me dy fytyra, një zyrtare dhe një tjetër”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova – presidente e Maqedonisë së Veriut.

Reagime jo vetëm nga pala greke, por erdhën edhe nga një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare pasi Siljanovska nuk e tha emrin kushtetues në ceremoninë e betimit, por përdori vetëm termin Maqedoni.