Me orën policore ulen sanksionet për maska

Me hyrjen në fuqi të orës policore, dukshëm ka rënë edhe numri i sanksioneve për mosmbajtje të maskave.

Nëse ditët paraprake, numri i sanksioneve për mosmbajtje të maskave mbrojtëse nga Covid-19 tejkalonte numrin 600, gjatë ditës që lamë pas janë shqiptuar 408 sanksione për maskat, transmeton TV21.

Ndërkohë, duke filluar nga ora 22:00 mbrëmë ka filluar të zbatohet sërish masa për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve – ora policore.

Kjo masë është rikthyer me rekomandim të Komisionit për sëmundje ngjitëse për shkak të rritjes së rasteve pozitive me Covid-19.

Situata është rënduar, ngaqë në vend ende nuk ka filluar imunizimi masiv kundër virusit. Deri tani janë vaksinuar vetëm personeli mjekësor. Të moshuarit u anashkaluan edhe nga vaksinimi me 3 mijë dozat e para të vaksinës “Sputnik V” të cilat në vend arritën gjatë fundjavës./TV21