Me emërimin për koordinator të Bujar Osmanit, Ahmeti e hapi kapitullin e diktaturës

Shkruan: ARSIM ZEKOLLI, ambasador

Pas pakënaqësive në anëtarësi, pas krijimit të fraksioneve, pas humbjes së kontrollit mbi Kryesinë Qendrore, pas përçarjes, tani Ali Ahmeti hap etapën e re të fundosjes së BDI’së përmes tërheqjes së vijës ndarëse mes legjitimitetit të “zjarrtarëve” dhe legalizimit të “ahmetovitëve”. Legalizmi buron nga legjitimiteti. Kur të përzgjedhurit legjitimë bëjnë politikën, kjo quhet demokraci. Kur legalistët pa legjitimitet bëjnë politiken, kjo quhet diktaturë.

Rrjedhimisht, me aktin e nominimit të Bujar Osmanit për koordinator në Çair, Ali Ahmeti edhe zyrtarisht hapi kapitullin e diktaturës dhe konfirmoj humbjen e peshës së tij në BDI.

Konform formulës se shpjeguar të legjitimitetit-legjislacionit, vendimi i Ahmetit ka më shumë të bëjë me postin e tij personal në BDI, sesa me faktorizimin e Osmanit në Çair.

Akti në vete është konfirmim i padëshiruar, por i pashmangeshem, për shpëtim të së paku aurës formale të lidershipit të tij në Kryesinë Qendrore, edhe ashtu të ngarkuar me thashetheme, kalkulime, spionime, dyshime…
Ahmeti nuk garanton dot njëzëshmërinë në Kryesi, të cilën mund të vazhdon ta fabrikon nëpër media dhe nëpër deklarata sa për të blerë kohë. Megjithatë, jo vetëm sjellja e “zjarrtarëve”, por përgjithësisht sjellja e zyrtarëve të kësaj partie, konfirmon se segmentizimi – jo vetëm përçarja – është në rrugë të pandalshme. Motivi parësor për Aliun në këtë gjendje të re nuk është shpëtimi i BDI’së, por vazdhimi i percepcionit të peshës se tij në vitin e fundit të sundimit dhe në sfidat kritike para nesh që mund t’i kushtojnë shumë, shumë shtrenjtë – personalisht atij dhe rrethit më të ngushtë (jo vetëm partijak). Zaten, jorastësisht ky vendim për Çairin ishte sa i pritur, aq është edhe reagim mllefi pas porosisë ca misterioze të Musa Xhaferit për “çunin plak që po i numërohen ditët e fundit”.

Ç’është arsyeja, ç’është motivi dhe mbi të gjitha cila është friga kaq e madhe e Ali Ahmetit, që më në fund të detyrohet që ndaj partisë së tij të përdorë instrumentin e legjitimitetit-kundër-legalizmit që deri tani e përdorte kundër PPD; BDI, PDSh, Besës, Aleancës, Alternativës duke lozur lojën e pronësisë mbi vulat zyrtare dhe regjistrëve në gjyq? Aliu nuk e bën këtë nga dinakëria, nga plani, nga strategjia, por nga mospasja shteg, zgjidhje tjetër për së paku tentuar të vonon degradimin e tij. Megjithatë, është diçka tjetër kur lojën e vulave zyrtare e bën përmes gjyqeve të korruptuara dhe ndihmën e maqedonasve, është diçka tjetër kur këtë e bën Edi Rama me Lul Bashën, dhe është diçka tërësisht tjetër kur këtë tenton ta bëjë një njeri në fund të aventurës së tij politike dhe në përndrjekje nga fantazmat e viktimave të tija dhe krimeve të bëra. Rrjedhimisht, shpresa e fundit e Aliut është ta dobësojë Çairin dhe me atë dobësi të balancon impotencën e vet. Por, as Aliu nuk shpreson se Bujari dhe Artani, mund të jenë fitimtarë – në Çair, në Reçicë, aq më pak në Maqedoni.

Emerimi i Osmanit mund të ketë efekte afatshkurta, por jo aq sa për të ndalur apo penguar pasojat e paevitueshme për të. Pozita e tij legjislative nuk mund të ndalojë proceset e inicuara kundër Artan Grubit dhe grupit të tij. Aq më pak mund të ndryshoj raportin e forcave në terren, ku ndikimi i “Zjarrtareve” nuk është i pafund ndersa pozita e Grubi-Osmanit, nuk përforcohet dot.

Sidoqoqftë, vendimi i Ahmetit nuk lehtëson dhe nuk vështirëson pozitat e “Zjarrtarëve”, të cilit edhe ashtu ka kohë që nuk diktohen nga vendimet e Kryetarit pasiqë vet Kryetari nuk respekton Kryesinë. Orinetimi i “zjarrtarëve” mbetet i përqendruar në legjitimitet-faktik në terren. Sfida e “zjarrtarëve” është nëse kanë kapacitet dhe ide se si të mbindërtojnë fraksionin partiak në lëvizje më të gjërë inkluzive dhe ide stimuluese për qytetarët si dhe motivim për rikthim të politikës reale në shoqërinë shqiptare. Kjo – e jo vendimet e çunit plak – është pika në të cilën “zjarrtarët” ose do t’ngrihen ose do t’mbesin të ngujuar në zënka partiake.

P.S.
Agjenda e vizitës në ëashington të Bujar Osmanit, përfshinte takim edhe me Antoni Blinken. U raportua vetëm për ca takime koridoriale me Chollet, Sherman, por jo edhe me Sekretarin e Shtetit. Nuk është ndonjë lëshim apo negativitet nëse një ministër i Puneve të Jashtme gjatë vizitës në Washington të mos pranohet nga Sekretari i Shtetit. Por është jashtëzakonisht misterioze dhe indikative kur Sekretari i Shtetit nuk e shef të arsyeshme të gjejë kohë për takim me Kryesuesin e radhës të OSBE, mu në kohën e krizës më të madhe gjeo-politike dhe ushtarake bashkëkohore në Europe dhe Euro-Azi.

Shkrimi eshte marrë nga profili z.Arsim Zekolli, në Facebook