McDonald’s do të largohet përgjithmonë nga Rusia pas 30 vjetësh

McDonald’s ka thënë se do të largohet nga tregu rus dhe ka filluar një proces për të shitur biznesin e tij në vend, pas 30 vjetësh funksionimi të restoranteve të tij atje.

Në mars, zinxhiri i ushqimit të shpejtë tha se po mbyllte përkohësisht rreth 850 restorante në Rusi në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.

“Kriza humanitare e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe mjedisi i paparashikueshëm i operimit, kanë bërë që McDonald’s të arrijë në përfundimin se vazhdimi i pronësisë së biznesit në Rusi nuk është më i qëndrueshëm dhe as nuk është në përputhje me vlerat e McDonald’s”, thuhet në një deklaratë, përcjell Klankosova.tv

Si pjesë e vendimit të McDonald’s për t’u larguar, kompania po ndjek shitjen e të gjithë portofolit të saj të restoranteve McDonald’s në Rusi te një blerës vendas.

Restorantet e McDonald’s në Ukrainë mbeten të mbyllura, derisa kompania vazhdon të paguajë pagat e plota për punonjësit e saj në vend.