Janë mbyllur tri pompa derivatesh në komunat veriore.
Për t’u mundësuar kjo Policia e Kosovës e ka asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Njëra nga pompat është mbyllur në Mitrovicë të Veriut, dhe dy të tjera në Zubin Potok.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se njëra nga dy pompat e mbyllura në komunën e Zubin Potokut, është në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Ai tutje në përgjigje për Klankosova.tv, tha se AKP-ja ka qenë në prezencë të inspektorëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Në një komunikatë të lëshuar nga MINT-i, thuhet se pompat janë mbyllur përkohësisht, për të verifikuar dokumentin përkatës.
“Gjatë këtij aksioni, janë mbyllur përkohësisht 3 pika shitëse të derivateve të naftës për të verifikuar dokumentacionin përkatës. Inspektorët e Tregut kanë zbuluar se këto pompa ushtrojnë veprimtarinë tregtare pa leje të shitjes me pakicë për Dizel dhe Benzinë”, shkruan aty.
“Të gjitha subjektet që merren me veprimtari të produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si dhe masa të tjera ndëshkuese konform legjislacionit aktual”.