Mbretëresha Elizabeth II emëron Liz Truss kryeministre të Britanisë

Mbretëresha Elizabeth II emëroi të martën Liz Truss kryeministre të Britanisë.

Truss fitoi dje garën në Partinë Konservatore, duke siguruar postin e lideres së kësaj partie dhe të kryeministres së re të Britanisë së Madhe.

“Mbretëresha priti sot në audiencë të nderuarën Truss dhe i kërkoi asaj që të formonte administratën e re”, tha Pallati Buckingham në një deklaratë.

Sipas pallatit mbretëror, Truss pranoi ofertën e Mbretëreshës dhe “i puthi duart pas emërimit si kryeministre”.

Johnson dhe Truss udhëtuan për në Skoci për t’u takuar me Mbretëreshën Elizabeth II, ku Johnson zyrtarisht dorëzoi dorëheqjen dhe Truss u ftua që ta formojë Qeverinë.

Kryeministrja e re do të përballet me një nga listat më të frikshme të problemeve të çdo lideri të pasluftës në Britani, pasi inflacioni arrin në numër dyshifrorë, kostoja e energjisë është rritur dhe Banka e Anglisë paralajmëron për një recesion të gjatë deri në fund të këtij viti.

Takimet e Mbretëreshës me kryeministrat tradicionalisht mbahen në Pallatin Bakingam në Londër. Por, monarkistja 96-vjeçare së fundmi është përballur me probleme shëndetësore dhe e zhvilloi këtë takim në Skoci, ku zakonisht kalon pushimet e verës.