Mbledhitë Shkup-Tiranë, ku jemi e ku s’jemi?!

Shkruan: Naser Pajaziti

Sot mbledhja e dytë e përbashkët e Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pas asaj të Pogradecit të vitit 2017.

Ku jemi e ku s’jemi?

Një pjesë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të shkuar në Shqipëri, udhëtojnë përmes autostradave të Kosovës dhe Rrugës së Kombit, për shkak se infrastruktura rrugore në Maqedoninë e Veriut ( Korridori 8 ), akoma është me rrugë të arnuara magjistrale. Edhe ajo nga Qafë Thana deri në Elbasan, Tiranë, Durrës është thuajse në gjendje të njejtë.

Rruga e Arbërit po ashtu vetëm projekt në letër, me arnime dhe rrugë me rreziqe në pjesën e Maqedonisë së Veriut dhe e papërfunduar në pjesën e Shqipërisë.

Deri ku është lidhja hekurudhore e promovuar 5 vite më parë përmes Kërçovës-Strugës-Pogradecit?

Abetarja e unifikuar mungon dhe sërish kemi vetëm deklarime pompoze, pasi që inkorporimi i saj në planet mësimore në Maqedoninë e Veriut kërkon ndryshime ligjore.

Siç e mbajmë mend para pesë viteve ishte një zotim se Manastiri i Alfabetit duhet të transformohet si një qendër kulturore dhe artistike, por a e dini se Muzeu i Alfabetit këtyre diteve ka ngelur pa energji elektrike. Përkujdesja ndaj kësaj qendre historike kulturore shqiptare është zero, derisa takimi i sotëm i dy qeverive në këtë përvjetor pse nuk duhej të mbahej pikërisht në Manastir.

Mungon përparimi në planin e lidhjes energjetike, pasi që pesë vite më parë ishte proklamuar një studim fizibiliti për lidhjet energjetike midis dy vendeve (Manastir – Elbasan).

Bashkëpunimi ekonomik aspak i kënaqshëm, për të zgjeruar tregun dhe për të rritur konkurrencën e kompanive në vendet e rajonit.

Mungon projekti i pikave të përbashkëta kufitare, që Maqedonia e Veriut e ka me Serbinë, për të lehtësuar lëvizjen e lirë.

Në Nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Por Qeveria Shqiptare a don apo nuk don të hyjë në këtë temë, sepse siç duket padrejtësitë, diskriminimin dhe hallet e një pjese të shqiptarëve në Maqedoni ia ka lënë partive dhe politikanëve të akomoduar në kolltuqet e pushtetit në Shkup. Megjithatë konform detyrimeve kushtetuese duhet për të ndihmuar në fusha të caktuara, në arsim, kulturë, me gjitha resurset e nevojshme, shkëmbime për turizëm, sport si dhe sfera të tjera ku nevojitet dora e shtetit shqiptar për pjesën e kombit jashtë kufirit. Pse një libër dhe gazetë serbe vjen në Shkup pa pikë barriere, derisa për 30 vjet nuk po ndjejmë librin dhe shtypin shqiptar që tashmë është edhe drejt shuarjes.

Dhe shumë e shumë të tjera…