Mbi 1.000 thirrje nga qytetarët janë regjistruar deri më tani në Qendrën për Menaxhimin e Krizave (QMK), pas stuhisë së shoqëruar me erë të fuqishme që goditi pasditen e sotme Shkupin, njoftoi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
Sipas tij, janë raportuar dhjetëra raste të pemëve të rrëzuara, çative të dëmtuara dhe dëme materiale në automjete e objekte.
Në rrugën “Zhenevska” nr. 10 në Shkup është raportuar shembja e një pjese të çatisë së një ndërtese, me ç’rast janë dëmtuar disa automjete. Pemë të rrëzuara janë regjistruar edhe në rrugët “Metodija Mitevski” dhe “Nikolla Trimpare”, ndërsa në rrugën “Trifun Buzev” është dëmtuar një tjetër konstruksion çatie.
Erërat e forta kanë shkaktuar dëme edhe në Shkollën Fillore “Vlado Tasevski”, ku një pjesë e çatisë është shkëputur. Në rrugën “Helsinki” janë rrëzuar dy pemë, ndërsa në rrugën “Skupi” nr. 89 pemët e rrëzuara kanë dëmtuar kabllot elektrike, një automjet dhe një pjesë të një shtëpie.
Dëme nga stuhia janë raportuar edhe në Kumanovë, ku është dëmtuar çatia e një objekti në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, si dhe në Tetovë, ku era e fuqishme ka marrë dy çati dhe ka rrëzuar disa pemë. Deri më tani nuk ka të dhëna për persona të lënduar.
“Për të gjitha rastet e raportuara janë njoftuar shërbimet kompetente, të cilat ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin dhe eliminimin e pasojave të stuhisë”, deklaroi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.



