Mbi 88 mijë të papunë, shumica shqiptarë

Brenda një viti janë paraqitur 10.143 kërkesa për leje pune për shtetas të huaj. Ndërsa më shumë se 60% e punëdhënësve në vend kanë deklaruar se kanë nevojë për punësime të reja, në Agjencinë e Punësimit në qershor është regjistruar rritje mujore e numrit të të papunëve. Në tregun e punës, sipas të dhënave zyrtare, numri i vendeve të lira të punës ka tejkaluar 10.000, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

83% e numrit të përgjithshëm të të papunëve janë pa arsim, me arsim fillor ose të mesëm
Për herë të parë që nga fillimi i këtij viti, në qershor, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV), në nivel mujor është regjistruar rritje e numrit të të papunëve. Në muajin e shtatë të këtij viti, si punëkërkues aktivë ishin të evidentuar 88.541 persona, që është për 2.425 më shumë krahasuar me muajin maj. Në të njëjtën kohë, janë regjistruar edhe 41.281 të papunë me statusin e punëkërkuesve pasivë.

Nga numri i përgjithshëm i të papunëve – punëkërkues aktivë – sipas përllogaritjes së Portalb.mk, bazuar në të dhënat zyrtare, numri më i madh, përkatësisht 35.757, janë shqiptarë, me pjesëmarrje prej 40,3%. 33.679, ose 38,0%, janë maqedonas, ndërsa të tretët për nga numri i të papunëve janë romët, me 10.008 persona, që përbëjnë 11,3% të numrit të përgjithshëm të të papunëve. Pas tyre vijnë turqit, me 6.564 të papunë, ose 7,4%. Pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike, si dhe personat që nuk janë deklaruar sipas përkatësisë etnike, përbëjnë më pak se 1,8% të numrit të përgjithshëm të të papunëve.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas nivelit të arsimit, më shumë se gjysma e të papunëve, përkatësisht 51.390 persona, që përbëjnë 58,0%, janë pa arsim ose me arsim fillor, ndërsa 22.195 persona, ose 25% e numrit të përgjithshëm të punëkërkuesve aktivë, janë persona me arsim të mesëm. Kjo do të thotë se, 83% e numrit të përgjithshëm të të papunëve janë pa arsim, me arsim fillor ose të mesëm.

Lejet e punës për të huajt dhe vendet e lira të punës

Sipas hulumtimit anketues me punëdhënësit, të realizuar nga APRMV-ja, këtë vit në sektorin privat pritet të ketë 14.498 punësime të reja në industri të ndryshme dhe për nivele të ndryshme të arsimit. Sipas punëdhënësve, pjesa më e madhe e punësimeve pritet të realizohet në industrinë përpunuese, e cila renditet lart për sa i përket mungesës së fuqisë punëtore.

“Numri më i madh i punësimeve pritet të jetë në industrinë përpunuese, 5.328 ose 36,8%, në tregtinë me shumicë dhe pakicë, ku priten 2.342 punësime ose 16,2% e punësimeve të planifikuara, në ndërtimtari, me 1.437 punësime ose 9,9%, si dhe në veprimtarinë e akomodimit dhe shërbimit të ushqimit, ku priten 958 punësime ose 6,6% e punësimeve të planifikuara”, thuhet në Raportin e ri vjetor të APRMV-së.

Ndërsa nga njëra anë evidenca regjistron më shumë se 88.500 të papunë që kërkojnë aktivisht punë, sektori privat vazhdon të alarmojë se mungesa e fuqisë punëtore po bëhet problem gjithnjë e më i madh.

“Sa i përket nevojës për fuqi punëtore, pothuajse 62% e punëdhënësve të anketuar janë shprehur se kanë nevojë të punësojnë persona të rinj në profesione të ndryshme”, thuhet në raport.

Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, janë përpunuar gjithsej 10.143 kërkesa për lëshimin e lejeve të punës për shtetas të huaj, prej të cilave 836 kërkesa për lëshimin e lejeve të punës dhe 9.307 kërkesa nga MPB-ja për dhënien e mendimit lidhur me shfrytëzimin e kuotës dhe nevojat aktuale të tregut të punës.

Numri i vendeve të lira të punës në nivel shtetëror ndryshon dhe ka tejkaluar 10.100, ndërsa numri më i madh i vendeve të lira, ose më shumë se 1.670, është në industrinë përpunuese. Pas saj vjen sektori i hotelerisë dhe gastronomisë me 1.644 vende të lira pune, ndërsa në vend të tretë është tregtia me 1.483 vende të lira. Ndërkaq, sektori i veprimtarive administrative dhe ndihmëse ka nevojë për 1.411 punonjës. Edhe sektorët e ndërtimtarisë dhe transportit janë në “kërkim” të punonjësve: në ndërtimtari ka 910, ndërsa në transport 740 vende të lira pune.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Burimi: Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Në veprimtaritë e tjera, numri i vendeve të lira të punës është më i vogël se 400. Me kërkesë të punëdhënësve dhe me qëllim të përmbushjes së nevojave për fuqi punëtore në tregun e brendshëm të punës, në fillim të këtij viti Qeveria mori vendim për rritjen e kuotave në 10.000 leje pune për shtetas të huaj.