Mbi 230 të vdekur nga koronavirusi, Italia izolon 16 milionë banorë

Kushdo që jeton në Lombardi dhe 14 provincat e tjera qendrore dhe veriore do të ketë nevojë për leje të veçantë për të udhëtuar.

Shkollat, palestrat, pishinat dhe qendrat e skijimit do të mbyllen, si dhe të pezullohen të gjitha ngjarjet në “hapësira publike dhe private”, tha kryeministri italian Giuseppe Conte.

Masat drastike do të zgjasin deri më 3 prill, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Në fillim të kësaj jave qeveria njoftoi mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve në të gjithë vendin për 10 ditë.

Italia ka numrin më të madh të rasteve të koronavirusëve në Evropë, ndërsa të shtunën u raportua për një rritje të madhe të infeksioneve.

Numri i të vdekurve në Itali ka kaluar mbi 230, ndërsa zyrtarët raportuan për më shumë se 50 të vdekur në 24 orët e fundit. Ndërkohë numri i të infektuarve u rrit për më shumë se 1200, duke shkuar në 5883.

“Ne duam të garantojmë shëndetin e qytetarëve tanë. Ne e kuptojmë se këto masa do të imponojnë sakrifica, ndonjëherë të vogla dhe ndonjëherë shumë të mëdha”, tha Conte sot në mëngjes.

“Por kjo është një kohë kur ne duhet të marrim përgjegjësi për veten tonë”, tha tutje ai.

Sipas masave të reja, njerëzit nuk do të jenë në gjendje të hyjnë ose dalin nga rajoni i Lombardisë.

Dasma dhe funeralet janë pezulluar, si dhe ngjarje fetare dhe kulturore. Janë mbyllur kinematë, klubet e natës, palestrat, pishinat, muzetë dhe qendrat e skijimit.

Restorantet dhe kafenetë mund të hapen mes orës 06:00 dhe 18:00, por klientët duhet të ulen larg njëri tjetrit.

Njerëzve u është thënë të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur, dhe ata që shkelin karantinën mund të përballen me tre muaj burg.