Qytetarët dhe institucionet nuk i kushtojnë rëndësi grupit të gjakut

Qytetarët shumë pak i kushtojnë rëndësi grupit të tyre të gjakut. Në një anketë të realizuar, disa thonë se për grupin e gjakut kanë mësuar kur kanë kryer shërbimin ushtarak e disa kur u pajisën me lejen e vozitjes, ndërsa të tjerët as që ia kanë idenë.

“B+, si ishte, a ka të këtillë?! (Po, B pozitiv. Prej kur e dini grupin?) Prej përpara se të shkoja ushtar. (A keni pasur rast deri tani të merrni ose të jepni gjak?) Jo, jo. Kam qenë në spital, por gjak nuk më është nevojitur”.

“Nuk e di, beso! Sinqerisht. Nuk e ke kontrolluar asnjëherë? Jo, asnjëherë”.

“Po ju? A pozitiv. Prej kur e dini? Kur e mora patent shoferin, atëherë e mësova”.

“Nuk e di. A1 besoj. A pozitiv? Po”.

As institucionet kompetente nuk i kushtojnë rëndësi, madje as foshnjave të porsalindura nuk iu caktohet grupi I gjakut përveç në raste të caktuara. Pos në patent shofer, grupi i gjakut nuk figuron në dokumentet identifikuese, respektivisht në letërnjoftime të cilat qytetarët obligohen t’i bartin me vete gjithandej e as në pasaporta që qytetarët i mbajnë gjatë udhëtimeve në shtete tjera. Nga Ministria e Brendshme thonë se deri tani nuk e kanë parë të nevojshme ta shënojnë grupin e gjakut në dokumentet identifikuese.

Ne kemi vlerësuar inkorporimin e grupit të gjakut në patent shofer, sepse njerëzit që gjenden në makina kur janë në lëvizje janë të ekspozuar nga një rrezik për aksident të trafikut dhe me qëllim që shërbimet shëndetësore të jenë efikase dhe kualitative. Në qoftë se vlerësohet nga grupet e interesit se ka interes që të inkorporohet edhe në dokumentet tjera të identifikimit të qytetarëve, pse jo, ne mund të jemi përkrahës të kësaj iniciative – tha Agim Nuhiu, Zv/Ministër i Brendshëm.

Nga ana tjetër, Fondi për Sigurim Shëndetësor fajin për mungesën e grupit të gjakut në librezat shëndetësore ia hedh punëdhënësve, respektivisht punonjësve shëndetësor të cilët i plotësojnë librezat shëndetësore të qytetarëve. Nga Fondi theksojnë se me shtypjen e librezave shëndetësore kanë parashikuar hapësirë të posaçme për shënimin e grupit të gjakut, në faqen 7.

Libreza shëndetësore përmban të dhëna administrative të cilat i vendos Fondi, një pjesë e plotëson punëdhënësi (nëse personi është i punësuar) ndërsa pjesën mjekësore e plotësojnë punëtorët shëndetësor – njoftojnë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.

Ndryshe, të dhënat për grupin e gjakut janë kyçe në shpëtimin e jetës së qytetarëve gjatë aksidenteve eventuale në komunikacion ose fatkeqësive të tjera të paparashikueshme, pas së cilave nevojitet intervenim urgjent mjekësor.