Mbi 1 milion e 250 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë janë detyruar të lëshojnë Ukrainën

Njerëzit që rrethuan Arinën në ditëlindjen e saj të shtatë këtë herë nuk ishin të zakonshmit si në ditëlindjet e tjera. Vogëlushja refugjate ukrainase këtë herë festoi në mesin shërbimeve të emergjencës dhe vullnetarëve në kampin mobil në Siret të Rumanisë, shkruan Alsat.

Vullnetarët dhe e ëma e vajzës, mbiemri i të cilës nuk bëhet i ditur, përgatitën një festë me tortë ditëlindjeje, balonë dhe kapele letre.

Mbi 500 mijë fëmijë nga Ukraina janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre në një eksod të cilën UNICEF e ka cilësuar si “të paprecedentë në sasi dhe shpejtësi”.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit tha se deri tani mbi 1 milion e 250 mijë njerëz kanë lëshuar Ukrainën duke përfshirë edhe rreth 80 mijë shtetas të vendeve të treta.

Mijëra të tjerë presin në kufi radhën për të lëshuar vendin.

“Kur i tregova nënës time që do të shkoj të shpëtoj jetën time, nëna ishte duke qarë dhe duke më thënë se ndoshta nuk më sheh kurrë më. Ishte fjala më e frikshme që kam dëgjuar në jetë. Jam akoma e frikësuar se ndoshta nuk do ta shoh më”, tha një refugjate.

Gratë dhe fëmijët janë në përpjekje për të shpëtuar veten nga sulmet ruse, kurse burrat janë urdhëruar të rrinë në vendin e tyre për t’ju kundërvënë agresionit ushtarak. Qytetarët me prejardhje ukrainase në të gjithë Evropën ndihmojnë dhe strehojnë familjarët e tyre që lëshojnë vendin. Ky person me prejardhje nga Ukraina është një pikë kontakti për ukrainasit në Berlin të Gjermanisë. Në Gjermani janë strehuar dhjetëra mijëra familje dhe priten rreth 20 mijë refugjatë të tjerë gjatë ditëve të ardhshme.

“Ata njerëz kanë nevojë për ndihmën tonë. Gjashtë ditë më herët ata kishin një apartament, një shtëpi, një kopsht, një veturë, një jetë, një bashkëshort. Dhe tani janë këtu, pa burra, pa shtëpi, të vetëm”, u shpreh Vlad Pinkskij, ukrainas që jeton në Gjermani.

Stacioni i trenit në qytetin kufitar të Polonisë Pshemishl tashmë është mbushur me refugjatë që kalojnë natën të shtrirë në dysheme. Polonia, Rumania dhe Gjermania janë tre vendet të cilat deri më tani kanë pranuar më shumë refugjatë ukrainas. / Alsat.mk