Mbetëm pa kolegun tonë Enver Shala

In Memoriam
Enver Shala, gazetar shumëvjeçar, veteran, me përvojë më të gjatë gazetareske ndër ne shqiptarët, treti në amshim kolegun tonë, duke e lënë gazetarinë tonë më të varfër dhe Tetovën, ku lindi e jetoi, pa gazetarin e vet, i cili shkriu energjinë e vet për një mision sa fisnik, aq edhe të vështirë, deri në fund me entuziazmin fillestar nga profesionisti. Ishte jo vetëm gazetar i parë profesionist i Tetovës, me punë në gazetën e asaj kohe të fillimeve tona në gazetari “Flaka e Vëllazërimit”, por edhe korrespondenti i parë zyrtar shqiptar i kësaj gazete që raportonte nga Tetova e më gjerë nga rajoni. Ai ishte i pari ndër të parët, kreu i gazetarisë në historikun e Tetovës. Gjatë punës së tij s’ka lënë fshat pa vizituar dhe shkruar për hallet e tyre. Shkruante në mënyrë joshëse që tërhiqte vëmendjen e lexuesve, ndërsa në çantën e tij pos notesit të shënimeve, kishte edhe fotoaparatin. Thoshte, gazetari pa fotoaparat s’është gazetar! Ai i ka fotografitë nga ngjarjet më të rëndësishme, që s’i ka kush nga gazetarët. Një dokumentacion dëshmues për të kaluarën tonë dhe për Tetovën, të cilën aq shumë e deshi.

Është shumë vështirë të shkruhet për një humbje, sidomos kur ajo nuk është personale, por e përgjithshme, e kombit dhe e gazetarisë. Gazetaria në kohën që punoi ishte një sfidë e madhe, një trysni e vazhdueshme për shpirtin që duhej të mbahej i qetë dhe të mendonte me urtësi, sepse fjala e gazetarit lëshuar në publik s’kishte kthim prapa, të merrte në vorbullën e shqetësimeve dhe të merrte atë më të shtrenjtën – shëndetin. Periudha e viteve të ’80-ta, ishte një katrahurë për punën profesionale dhe jetën private. Pushtetarët komunistë, me sulmet e tyre s’lenin të bënte gjumë, vetëm pse të birin e kishte pagëzuar Alban, vetëm pse kishte shkuar me urdhër të redaksisë në Shqipëri, bashkë me SHKA “Xheladin Zeqiri”, vetëm pse kishte diskutuar diçka që nuk u shkonte për shtati pushtetarëve. Por qëndroi si profesionist i vërtetë.

Vitet e ’90-ta sollën telashe të reja. Duhej të ishte aty ku ishte më rrezik. Duhej të raportonte ngjarje të dhimbshme, sensitive, që preknin njërën palë ose tjetrën, por gazetaria gjakon të vërtetën, sepse vetëm e vërteta mbijeton në kohë. Ishte aty, në krye të detyrës kur u themelua partia e parë shqiptare, nën trysnin policore, ishte aty kur ndodhën helmimet e nxënësve, ishte aty kur u përça PPD-ja, ishte aty kur u themelua Universiteti i Tetovës. Ishte i pari që raportoi natën vonë në gazetën e tij “Flaka”, nënshkrimin e aktit të themelimit të UT-së.

Bashkë me krajatat e themelimit dhe rritjes së UT-së, rreziqeve që i kanoseshin, ishte aty gazetari Enver Shala. Rrezikonte jetën për një informatë që duhej të arrinte tek lexuesi. Ngjarjet vinin varg e pa këputur, ndërsa detyra dhe obligimi profesionist prej gazetari nuk e linte të qetë, pa e përfshirë në gazetë. Kjo kërkonte një sakrificë të madhe, personale dhe familjare. Por ai vazhdonte rrugëtimin e tij.
Viti 2001 ka qenë një ndër më të vështirët për këtë profesion. Duhej të shkruhej për atë që ndodh, ndërkaq burimet e informimit ishin të mbyllura. Kjo ishte një sfidë e re, për të arritur deri te informacioni. Më në fund, erdhi dita e shuarjes së gazetës. Forca të errëta s’dëshironin që shqiptarët këtu ta kenë një gazetë me traditë të gjatë, ata dëshironin që ne të kemi vetëm episode dhe jo një vazhdimësi. Mbylljen e gazetës e përjetoi rëndë. Mbeti sikur pa këmbë e duar.

Hodhi makinën e shkrimit dhe kur s’e preku me dorë. Mori një rrugë tjetër, atë të mërgimit në Amerikë, atje ku e kishte të birin dhe të dashurit e tij. Nja dhjetë vjet, itinerari i tij ishte Tetovë – Los Anxheles – Tetovë. Nuk mundej pa Tetovën, kishte nostalgji për shokët dhe bahçen e çajit pranë lumit Shkumbin, ku kishte ënda t’i kalonte ditët e pensionit. U prehtë i qetë i pari gazetar profesionist i Tetovës!
Ismail Arsllani-korrespondent i “Rilindjes” nga Tetova
Mahi Nesimi-redaktor në “Flakën e Vëllazërimit”
Mursel Murseli-redaktor në Radio-Tetova