Mbështetja online e femicidit vështirë të luftohet

Në mesin e komenteve të shumta online për vrasjen e Liridona Murselit kishte edhe të tilla që nxirrnin “arsye” për ta “justifikuar” aktin.

Tridhjetëvjeçarja u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Në mesin e tre të dyshuarve për vrasje është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Që të treve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Disa prej postimeve dhe komenteve në rrjetet sociale – përmbajtjen e të cilave Radio Evropa e Lirë zgjodhi të mos e publikojë – shprehën mbështetje për femicidin dhe tërhoqën dhjetëra pëlqime.

Disa postime të tjera bënë thirrje për arrestimin e personave të caktuar, duke aluduar në fajësinë e tyre, ndërsa të tjera flisnin për çështje personale të viktimës.

Në një faqe me mbi 27 mijë ndjekës u shpërnda edhe një video e montuar me fotografinë e viktimës dhe me një zë që thoshte se “është Liridona” dhe “lutej për drejtësi”.

Policia e as Prokuroria e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si trajtohen komentet e tilla që nxisin, apo përkrahin femicidin në rrjetet sociale.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës nuk ka ndonjë kategori të veçantë për to, por thuhet se “nxitja e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimt midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”.

Çfarë thonë ekspertët?

Valon Kerolli, strateg i mediave sociale në Kosovë, thotë se është e vështirë që komentet apo postimet e tilla të ndalohen, sidomos në mënyrë automatike.

“Rrjetet sociale, kryesisht, kontrollohen ose filtrohen përmes inteligjencës artificiale. Personat fizikë merren shumë pak me to. Vetëm në rast se dikush i raporton ato [postime nxitëse] dy-tri herë, ka mundësi që një person fizik të merret me to”, thotë Kerolli për Radion Evropa e Lirë.

Për më tepër, shton ai, inteligjenca artificiale e ka të vështirë t’i identifikojë postimet në gjuhën shqipe. Sipas tij, shoqëria civile do të duhej të angazhohej më shumë në raportimin e postimeve të tilla nxitëse, në mënyrë që ato të mbyllen pastaj.

“Nëse futemi në rrjetet sociale, gjejmë kërcënime me vrasje, postime me armë… Do të ishte mirë që shoqëria civile të ndërmerrte hapa në këtë drejtim, për t’iu bërë presion institucioneve të shtetit [për ndonjë reagim më të madh]”, thotë Kerolli.

Juristja e mediave në Kosovë, Flutura Kusari, shkroi në profilin e saj në Facebook se “komentet toksike, denigruese, fyese dhe nxitëse, nuk duhet as të shpërndahen, as të pëlqehen”.

“Këto janë masa të vogla, por kanë efekt të madh”.

“Ky është problem global, që nuk ka zgjidhje të shpejtë”, sipas saj.

“Zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin është që ta mbrojmë shëndetin tonë mendor duke mos i lexuar ato”, tha Kusari.

Në një tjetër postim, ajo theksoi se “është shumë e rëndësishme që mediat ta respektojnë privatësinë e informatave për jetën e Liridonës dhe privatësinë e familjes dhe të fëmijëve të saj”.

“Familja e saj dhe fëmijët nuk kanë nevojë për më shumë tronditje”, shkroi Kusari.

Ky nuk është rasti i vetëm, ku në mesin e shumë komenteve/postimeve që shprehin solidaritet me viktimën, ka edhe syresh që e fajësojnë atë.

Çfarë thonë psikologët?

Gjykimet dhe paragjykimet e tilla, që bëhen në rrjetet sociale, “ndikojnë keq te familjarët e viktimës, duke mbjellë urrejtje dhe pakënaqësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lule Alidema, psikologe klinike në Kosovë.

Ato, sipas saj, ndikojnë keq edhe në shoqërinë në përgjithësi, “me theks të veçantë te brezi i ri, sepse mund të shërbejnë si model i keq i përsëritjes së sjelljeve të tilla”.

“Shoqëria nuk po ec paralelisht me kohën dhe zhvillimet. Nuk ekziston arsye e shëndoshë për vrasjen e një njeriu”, thotë Alidema për Radion Evropa e Lirë.

Ajo numëron disa faktorë që, siç thotë, nxisin femicidin në Kosovë – nga çrregullimet psikologjike, trajtimi jo i drejtë në fëmijëri, sfidat jetësore e deri te mungesa e vetëdijes mbarëshoqërore për shkaqet dhe pasojat.

“Për jetën e gruas, në një pjesë të shoqërisë, mund të vendosë kush të dojë”, thotë Alidema.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në periudhën janar-tetor të këtij viti, në Kosovë u raportuan tri gra të vrara brenda familjes.

Rasti i Liridona Murselit ishte i katërti në këtë vit.

Po sipas policisë, në dhjetë muajt e parë të vitit u evidentuan 2.186 raste të dhunës në familje – prej të cilave viktima ishin mbi 1.700 gra.

Gjatë gjithë vitit 2022, ndërkaq, ishin 2.765 raste të dhunës në familje, me mbi 2.200 viktima gra – katër prej tyre të vrara.

Në bazë të raportimeve të Policisë së Kosovës dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë nga viti 2010 deri në nëntor të këtij viti është 55.

Mbi 133 gra ose vajza vriten çdo ditë

Kombet e Bashkuara e përkufizojnë femicidin si vrasje me paramendim, qëllimi i së cilës lidhet me gjininë.

Femicidi mund të nxitet nga rolet stereotipe gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, pushteti i pabarabartë mes grave dhe burrave ose normat e dëmshme shoqërore.

Ai është një problem që prek çdo vend dhe territor në mbarë globin.

Pavarësisht dekadave të aktivizmit nga organizatat për të drejtat e grave, provat e disponueshme tregojnë se përparimi drejt ndalimit të dhunës së tillë është ende larg.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitin 2022 u vranë rreth 48,800 gra dhe vajza nga partnerët e tyre intimë ose anëtarë të tjerë të familjes -përfshirë baballarët, nënat, xhaxhallarët dhe vëllezërit.

Kjo do të thotë se, mesatarisht, më shumë se 133 gra ose vajza vriten çdo ditë nga dikush në familjen e tyre.

Partnerët aktualë dhe ish-partnerët intimë janë deri më tani autorët më të mundshëm të femicideve.

“Ky vit regjistroi numrin më të lartë të totalit të vrasjeve me dashje të grave, duke treguar se bota po dështon t’i ndalojë vdekjet që mund të parandalohen përmes ndërhyrjes së hershme”, thonë Kombet e Bashkuara.

Sipas tyre, vrasjet e lidhura me gjininë dhe format e tjera të dhunës ndaj grave dhe vajzave, mund dhe duhet të parandalohen përmes iniciativave që fokusohen në transformimin e normave të dëmshme sociale dhe në angazhimin e komuniteteve për të krijuar zero tolerancë ndaj dhunës ndaj grave.

“Ndërhyrja e hershme dhe vlerësimi i rrezikut, qasja në mbështetje dhe mbrojtje e të mbijetuarave, si dhe shërbimet e kontrollit dhe drejtësisë janë kyçe për t’i dhënë fund vrasjes së grave dhe vajzave”, thonë Kombet e Bashkuara.

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave shënohet çdo 25 nëntor, kur edhe fillojnë 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Çfarë është duke u bërë në Kosovë për trajtimin e femicidit?

Në kuadër këtyre ditëve, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, publikoi një video-mesazh në Facebook, ku tha se është duke u angazhuar në përmirësimin e legjislacionit kundër dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për t’iu dhënë rasteve të dhunës përgjigjen e duhur institucionale.

“Për t’i adresuar nevojat e viktimave, kemi miratuar strategjinë për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Për t’i mbrojtur të drejtat e grave të mbijetuara nga dhuna, kemi mundësuar ndihmë juridike falas. Këtë vit, i kemi mbështetur qendrat që strehojnë viktimat e dhunës në familje me rreth 900 mijë euro buxhet”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se, shumë shpejt, do të nisë edhe programi për trajtimin psiko-social të kryerësve të dhunës në familje.

Por, në një raport të publikuar në muajin shtator, Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë gjeti se shumë pak të akuzuar për dhunë në familje dënohen me burg, edhe pse Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim me gjobë dhe deri në tre vjet burgim.

Raporti analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës dhe, sipas tij, 98 për qind të të akuzuarve për dhunë në familje u është shqiptuar aktgjykim dënues, për shembull me gjobë, dhe vetëm 11 për qind janë dënuar me burgim.

Udhëheqësit e Kosovës bënë thirrje për dënimin maksimal të atyre që urdhëruan dhe ekzekutuan vrasjen e Liridona Murselit./REL