Mbaron takimi LVV – LDK, s’ka marrëveshje

Takimi i sotëm mes kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, që ka zgjatur për më shumë se tre orë, ka përfunduar pa marrëveshje.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa tha pas përfundimit të takimit, se ka lëvizje në arritjen e një marrëveshje për formimin e Qeverisë dhe se janë pajtuar që të takohen sërish nesër.

“Takimi që ka filluar në ora 15:00, tani më ka përfunduar. Kemi një lëvizje në përpjekjen për të arritur marrëveshjen në mes të dy palëve. Do të kemi edhe një takim të ardhës nesër, për detajet natyrisht ju njoftojmë nesër”, tha Mustafa.

Takimi i filluar në ora 15:00 në Kuvendin e Kosovës ka përfunduar pas tre orëve dhe i njëjti skenar i takimit ishte edhe një ditë më parë, ku zëdhënësi i LDK-së duke mos bërë të ditur detaje nga takimi, kishte njoftuar për gazetar se janë pajtuar që të takohen sërish.