Mbappe pjesë e skuadrës së PSG-së për ndeshjen ndaj Realit

Kylian Mbappe ka marrë dritën e gjelbër nga stafi mjekësor se mund të jetë në dispozicion në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit që zhvillohet nesër (e mërkurë).

Anësori francez pësoi një lëndim gjatë stërvitjeve të hënën duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në sfidën kthyese të të tetës së finales.

Ishte pikërisht Mbappe njeriu që e vendosi takimin e parë me një gol të vonshëm në Parc des Princes, ashtu që trajneri Mauricio Pochettino dëshiron ta ketë në skuadër.

Ai nuk luajti në sfidën e fundjavës kundër Nice si pasojë e suspendimit dhe pësoi një lëndim të hënën në stërvitje.

PSG ka lëshuar një komunikatë për shtyp gjatë ditës së sotme (e martë), ku thuhet se ekzaminimet e fundit mjekësore kanë qenë qetësuese dhe Mbappe do të ekzaminohet edhe një herë para fillimit të ndeshjes.

Me gjithë përpjekjet, Sergio Ramos nuk është në dispozicion, mirëpo do të udhëtojë me bashkëlojtarët për takimin me ish-skuadrën e tij, ndërsa Ander Herrera vuan nga konjunktiviti.