Mbappe jep një përgjigje të sinqertë kur pyetet nëse i mungon Messi tek PSG

Kylian Mbappe është përgjigjur me sinqeritet kur është pyetur nëse i mungon koha kur kishte bashkëlojtar tek PSG-ja yllin argjentinas Lionel Messi.

Dyshja kanë ndarë dhomën e zhveshjes për dy sezone, duke fituar dy tituj të ligës radhazi, por kanë pasur vështirësi që suksesin e njëjtë ta përsërisin edhe në Evropë.

Sidoqoftë, Messi dhe Mbappe kuptoheshin mjaft mirë me njëri-tjetrin, dhe për këtë ylli francez ka pranuar se i mungon kreativiteti që sillte në fushë tetë herë fituesi i Topit të Artë.

“Të luajë me Leo Messin është definitivisht diçka që më mungon shumë. Ju gjithmonë e ndjeni mungesën e një partneri si Messi. Për një sulmues si unë, i cili pëlqen të sulmojë hapësirat, me të ju jeni të sigurt që mund ta keni topin në këmbë”, ka thënë Mbappe për Amazon Prime Sport.

“Ishte një luks që me shumë mundësi vetëm ai mund ta dhuronte. Përkundër kësaj, të luaja me Messin ishte diçka speciale”, vazhdoi ai.

Pas largimit të Messit nga klubi, Mbappe pati thënë se argjentinasi nuk e ka marrë respektin që ai e meritonte.

“Personalisht nuk e kam kuptuar pse kaq shumë njerëz ishin të lumtur kur ai u largua. Ne po flasim për Messin”.

“Ai duhet të respektohet, por në vend të kësaj, ai nuk e mori respektin që meritonte në Francë. Është për të ardhur keq, por kështu ndodhi. Klubi duhet të bëjë më të mirën e tyre për ta zëvendësuar atë”, është deklaruar 25-vjeçari.