Mbappe i kërkon drejtuesve të PSG-së transferimin e De Jong

Anësori i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe thuhet se i ka kërkuar kampionëve të Ligue 1 që të nënshkruajnë me mesfushorin e Barcelonës, Frenkie de Jong.

Javën e kaluar, Mbappe nënshkroi një kontratë të re me PSG-në, e cila përfshin të drejtën që ai të jap idetë e tij edhe jashtë fushës, në veçanti për nënshkrimet e ardhshme nga skuadra.

E sipas lajmeve që po qarkullojnë në Francë, Kylian i ka kërkuar drejtuesve të ekipit transferimin e De Jong drejt ‘Parc des Princes’, përcjell lajmi.net.

Holandezi u paraqit 46 herë për Barçën këtë sezon, duke shënuar katër gola dhe pesë asistime në të gjitha garat, por PSG nuk është i vetmi klub që ka interes për shërbimet e tij, me Manchester United që gjithashtu besohet të jetë duke e vëzhguar situatën.

Sipas “Fichajes”, skuadra e Xavit është e gatshme të shesë holandezin, pasi gjigantët katalanas kërkojnë të mbledhin fonde për nënshkrime të reja në afatin kalimtar veror.

25-vjeçari besohet se dëshiron të luajë së bashku me Mbappen dhe kjo është një arsye që ai po e favorizon këtë skuadër para Manchester United.

Që kur mbërriti në “Camp Nou” në vitin 2019, De Jong ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 17 asistime në 139 paraqitje për Barçën.