Mbajti flamurin serb gjatë performancës, Rita Ora: Më është dhënë nga një fans, prej ndriçimit nuk e pashë qartë

Këngëtarja më famë botërore nga Kosova, Rita Ora, ka reaguar pas një videoje, e cila gjatë orëve të fundit ka qarkulluar ku shihet më një flamur serb gjatë përformancës së saj në një koncert në Hungari.

Ajo ka thënë se flamuri i ishte dhënë nga një fans dhe nuk e ka ditur se cilit shtet i përket, duke theksuar se e ka kuptuar që flamuri ishte i Serbisë, pasi ka dalë nga skena.

“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, mu dha një flamur nga një fans i ri. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo hungarez”, ka thënë Rita Ora në një deklaratë për media, që i është dërguar edhe Klan Kosovës.

Tutje, ajo ka thënë se është shqiptare krenare dhe se qëllimi i saj nuk ishte mosrespekt ndaj popullit të saj.

“Përderisa i mbështes të gjithë fansat e mi, nga të gjitha vendet dhe kulturat, dua të bëj shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgimin time, ose të mërzisja popullin tim ose familjen time”, është shprehur Rita Ora.