Matic zbulon emrat e dy problematikëve te United: Te Chelsea ishin të gjithë profesionistë!

Nemanja Matic, aktualisht pjesë e Rennes në kampionatin francez, një pjesë të madhe të karrierës së tij e shpenzoi në Premier League ku u aktivizua me dy nga klubet më kryesore, Chelsea dhe Manchester United. Në një rrëfim të fundit për “YuPlanet”, mesfushori zbulon edhe diferencat mes dy klubeve ku theksoi se te Chelsea lojtarët ishin shumë profesionistë, ndryshe nga United, ku futbollistët shkonin me vonesë në stërvitje me dy problematikët më të mëdhenj që ishin Paul Pogba dhe Jadon Sancho.

“Te Chelsea të gjithë lojtarët pa përjashtim kishin sjellje prej profesionisti. Ishin të përpiktë në orarin e stërvitjes, nuk ishin kurrë vonë. Ndryshe veprohej te United, çdo ditë kishte lojtarë që vonoheshin në stërvitje.

Mes lojtarëve më problematikë dhe që ishin gati gjithmonë me vonesë ishin Paul Pogba dhe Jadon Sancho, edhe disa të tjerë. Ne, pjesa tjetër që respektonim orarin zemëroheshim shumë ndaj vendosëm të zbatonim një rregullore të brendshme, ku unë isha president. Vendosa një letër në mur dhe dokumentoja çdo ditë lojtarët që vinin me vonesë në stërvitje. Këta merrnin gjobë, në fund të sezonit kishim mbledhur rreth 75.000 paund gjoba”, u shpreh Matic.