Shkruan: Naser Pajaziti
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut tashmë kanë ngelur të bllokuar ligjet që kërkojnë shumicë të Badinterit, me ç’rast përveç Ligjit për përfaqësim të drejtë, mbetet e bllokuar edhe paketa e ligjeve për arsimin e lartë. E gjithë kjo ka bërë bashkë partitë opozitare shqiptare, BDI, ASH dhe LSH, por edhe deputetin Skender Rexhepi nga Lëvizja Populli.
Nga gjithsej 120 deputetë në përbërjen parlamentare, 39 deputetë deklarohen si pjesë e komuniteteve joshumicë. Për të kaluar ligjet që kërkojnë “Badinterin” (shumicën absolute nga të gjithë deputetët e komuniteteve), nevojiten me ligj së paku 20 vota, përcjell INA.
Si ndahen 39 deputetët që votojnë me “Badinter”?
Shumica parlamentare – 15 deputetë
Me kalimin e deputetit të Partisë Demokratike Turke (TDP), Bejxhan Iljas, pushteti e ka ngritur numrin e deputetëve nga komunitetet joshumicë në 15:
Koalicioni VLEN: 11 deputetë
VMRO-DPMNE dhe koalicioni – 3 deputetë: (Dragan Nedeljkoviq (serb), Mevmed Xhaferi (turk) dhe Duško Ivanov (vlleh);
Partia Demokratike Turke (TDP): 1 deputet: Bejxhan Iljas .
Opozita – 24 deputetë
Opozita vazhdon të mbajë shumicën absolute sa i përket deputetëve të komuniteteve joshumicë, me gjithsej 24 deputetë:
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI): 9 deputetë.
Aleanca për Shqiptarët (ASH): 3 deputetë.
Lidhja Shqiptare (partia e sapothemeluar nga Ziadin Sela): 3 deputetë
Lëvizja Populli: 1 deputet Zejd Rexhepi
Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci: 1 deputet Salih Murat
Të pavarur: Ilir Demiri.
LSDM 2 deputetë: Fatmir Bytyqi (shqiptar) dhe Mitko Trajçulevski (vlleh).
E Majta 2 deputetë: Amar Mecinović (boshnjak) dhe Rexhep Ismail (turk).
Si janë matematikat, “Badinteri madh” dhe “Badinteri i vogël”?
Edhe pse pushteti u përforcua me kalimin e Bejxhan Iljasit duke arritur në 15 deputetë, kjo shifër mbetet përsëri e pamjaftueshme. Për kontrollin e “Badinterit të madh” nevojiten 20 vota, që do të thotë se shumicës parlamentare i mungojnë edhe 5 deputetë nga komunitetet joshumicë.
Por, shumica parlamentare përmes Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvend miratoi me shumicë votash vendimin që Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë të kalojë me të ashtuquajturin “Badinter të vogël” (shumicën e deputetëve joshumicë të pranishëm në sallë), duke rrëzuar “Badinterin e madh” (20 vota absolute). Kjo përplasje politike ka nxjerrë në sipërfaqe matematikën e ndërlikuar të “Badinterit” në Kuvend, ndërsa ka bërë që deputetët e opozitës shqiptare, të jenë kujdestarë në Kuvend, për të pamundësuar votimin. Pra përmes pranisë së tyre ata do të bllokojnë votimin me “Badinterin e vogël”.
Kjo situatë e krijuar apo si ta themi “ngërç parlamentar”, bën që zgjidhjet e bllokuara ligjore të mbesin të pezulluara në sirtarët e Kuvendit, derisa të sigurohet votimi i dyfishtë me “Badinterin e madh apo të vogël”.
“Parimi i Badinterit” si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, i inkorporuar në Kushtetutë, nënkupton nevojën e votimit të dyfishtë për miratimin e të gjitha ligjeve që prekin fushat e kulturës, arsimit, përdorimit të gjuhëve, dokumenteve personale dhe simboleve kombëtare, etj.



