Mateç, të rinjtë me të djegura në trup, por në gjendje stabile

Kjo është vikend shtëpiza e cila u dogj mbrëmë në fshatin Mateç, të Likovës.

6 të rinjtë të cilët ishin mbledhur për të kaluar mbrëmjen e fundit të së dielës, përfunduan me djegie.

Sipas banorëve, bombola nuk ka shpërthyer, por ka marrë flakë për arsye që ende nuk dihen.

Banorët thonë se të rinjtë e kanë shfrytëzuar bombolën e gazit që të bëjnë dritë brenda në shtëpizë.

Pas zjarrit të rinjtë kanë thirrur të afërmit e tyre për ndihmë, të cilët me vetura personale i kanë drejtuar për te Spitali i Komunës së Likovës.

Gjendemi këtu në fshatin Mateç, mbrapa meje është edhe vikend-shtëpiza ku mbrëmë mori flakë nga bombola e gazit, përderisa brenda gjendeshin 6 të rinjtë të cilët kishin ardhur këtu për ta shijuar malin.

Nga MPB nuk kanë ende informacione se cila ka qenë arsyeja e shpërthimit të bombolës së gazit.

“Në ora 21:45 minuta në Sektorin për Punë të Brendshme Kumanovë nga Spitali i përgjithshëm i Kumanovës, kanë paraqitur se tek ata janë sjell gjashtë persona me lëndime të renda trupore, rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit në një objekt private në fshatin Mateç”, tha Ivana Mlladenovska – zëdhënëse e SPB-Kumanovë.

Në ndërkohë ekipet e prokurorisë gjatë ditës se sotme kanë bërë hetimin se si ka ardhur deri te fatkeqësia.

Më i riu prej të lënduarve është 27 vjeç ndërsa më i moshuari 44 vjeç. Për shkak të lëndimeve të rënda trupore, nga spitali i Likovës janë dërguar për në Shkup. Sipas informacioneve zyrtare gjendja e tyre shëndetësore është stabile, gjegjësisht 3 prej të lënduarve janë në repartin intenziv të Kirurgjisë Plastike, dhe 3 në repartin Kirurgji të Spitalit të Qytetit.

“Pacientët kanë të djegura të shkallës së dytë. Kryesisht të djegurat i kanë në trup, qafë dhe dorë dhe djegie të brendshme gjatë frymëmarrjes. Gjendja është stabile, megjithatë pacientët ende janë nën mbikëqyrje”, thonë nga Reparti Intenziv të Kirurgjisë Plastike.

Sipas banorëve, këtë vikend-shtëpizë e shfrytëzojnë të gjithë banorët e këtij fshati dhe gjuetarët për të pushuar./TV21