MASH: Shtyrja e gjysmëvjetorit të dytë nuk do të ndikojë në përfundimin e vitit shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar për vendimin e Qeverisë së RMV-së, për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të procesit mësimor.

Nga MASH thonë se vendimi që gjysmëvjetori i dytë të nisë më 1 shkurt, nuk do të ndikojë në fundin e vitit shkollor, dhe i njëjti do të përfundojë më 10 qershor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në shkollat ​​fillore dhe të mesme shtyhet për 1 shkurt të këtij viti, ka vendosur mbrëmë Qeveria e Republikës së Maqedonisë në seancë, me rekomandimin e Shtabit të Përgjithshëm Koordinues për Krizat dhe sipas informacioneve epidemiologjike se vendi është në kulmin e infeksionit. Sipas vendimit, mësimi me prezencë fizike në shkolla vazhdon edhe ditën e parë të shkurtit”.

“Ky vendim nuk do të ndikojë në përfundimin e vitit shkollor dhe ai do të përfundojë më 10 qershor, siç parashikohet në kalendarin për kurrikulën për arsimin fillor dhe të mesëm, me përshtatje përkatëse të kurrikulës”, thonë nga MASH.

Ata gjithashtu ju bëjnë thirrje prindërve dhe nxënësve që gjatë kohës së pushimit dimëror, të jenë maksimalisht të kujdesshëm dhe të mbrohen nga COVID-19.