Në 24 orëshin e parë të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga shteti si pasojë e ndotjes enorme të ajrit, qytetarët përpiqen t’i respektojnë masat e rekomanduara nga shteti duke shfrytëzuar transportin publik dhe duke përdorur maska. Megjithatë thonë se këto masa nuk janë të mjaftueshme. Kërkojnë zgjidhje afatgjate nga ndotësit e mëdhenj të ajrit.
“Nuk janë të mjaftueshme, nuk janë hiçgjë. Nuk do të kenë rezultat deri sa nuk zgjidhin problemet e industrive me ndotjen dhe me mbeturinat që i djegin”.
“Këto i kemi falas që mos t’i marri veturat, kinse ndotje do të ketë më pak. Por, nuk është tek kjo, si duket tek ato mbeturinat që i djegin. Sot ka më pak automjete dhe me lehtë marrim frymë”.
“Faj kanë politikanët që lejuan import të makinave të vjetra, na ngulfatën më gazrat që lirojnë.”
“Ja po shkoj te Spitali për të marr disa rezultate dhe në kontroll. Mjeku më tha se kam problem me organet e frymëmarrjes, i kam të mbyllura mushkëritë dhe e kam patjetër të marr disa barëra”.
“Nuk është e vërtetë që mundet Qeveria me heq këtë ndotje, përveç se Zotit. Ai po na dënon se kemi lëshuar rrugën e Zotit. Se ne me shporete e me dru jemi ngrohur gjithmonë, ai është më i shëndetshëm se rryma”.
“Këto janë, vetëm tua mbyllin gojën popullit, kinse ne po bëjmë diçka. Por, kësaj nuk mund t’i shmanget askush! Kot është se kur do Zoti e sjell një erë dhe pastrohet gjithçka”.
Përderisa qytetarët i respektojnë masat duke udhëtuar me autobusë, shumica e funksionarëve shtetëror edhe sot kanë ndezur makinat për në punë. Në garazh nuk mbeti as vetura e Presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.
Në oborrin e Kuvendit nuk kishte asnjë parking të lirë.
“Edhe pse Qeveria ka aktivizuar masat urgjente për ndotjen e ajrit, këtu në shtëpinë ligjvënëse edhe sot askush nuk e ka prishur rehatin, duke ardhur të gjithë në punë me makina”.
Masat dhe rekomandimet urgjente të Qeverisë do të mbeten në fuqi derisa ndotja të zvogëlohet nën pragun 175 mg/m3 të grimcave PM10. Përveç transport publik falas dhe dyfishimi i kostos së parkingjeve, Higjiena Komunale e Qytetit të Shkupit duhet të pastroj rregullisht rrugët dhe bulevardet e kryeqyteti. Inspektorët komunal duhet të intensifikojnë mbikëqyrjen mbi subjektet që menaxhojnë me mbeturinat e gomave dhe të vajrave. Kontroll i vendeve të ndërtimit dhe ndalimi i lëvizjes së automjeteve të rënda brenda qyteteve, etj.
Ministri i Ekologjisë Naser Nuredini një ditë më parë takoi drejtorin e Doganave Gjoko Tanasoski dhe drejtorin e sapoemëruar të Drisllës, Kosta Naçevski. Nga Ministria kumtojnë se për deponinë Drislla u kërkua inspektim i rrënjësishëm për llojin, origjinën, sasitë dhe mënyrën e trajtimit të bërllokut, mbetjeve mjekësore dhe seleksionimit sekondar brenda deponisë. Ndërsa, nga krye doganieri Tanasoski u kërkua që së bashku me Inspektorët e mjedisit mbikëqyrje e shtuar në pikat doganore për sasitë e mbeturinave të importuara, transituara dhe eksportuara në territorin e vendit./Alsat