Masakra e Ladorishtit!

Shkruan: Medai Shaholli

(me rastin e 77-vjetorit të Masakrës së Ladorishtit shkrim i botuar disa vite më parë në shtypin shqiptar)

Nga ngjarje dhe data të shënuara të historisë sonë kombëtare Masakra e Ladorishtit padyshim që bën pjesë në hallkën e pandarë zinxhirore të bëmave të historisë sonë të lavdishme të popullit shqiptar edhe në këto anë. Fshati Ladorisht i Strugës, tanimë i njohur për veprat e tij patriotike në këtë anë, si çdo vjet përmes homazheve të ndryshme në një parcelë të quajtur ‘Vakçares’ në fund të fshatit, e rrethuar me mur dhe kangjela, nderojnë dhe respektojnë me këtë rast viktimat e terrorit nazist.

Këtë 28 tetor, Ladorishti përkujton, 77-vjetorin e rënies së viktimave të terrorit nazist në këtë fshat, ose ndryshe siç quhet Masakra e Ladorishtit.
Në vjeshtën e 1944, si në gjithë ballkanin perëndimor ashtu edhe në rrethin e Strugës, zhvilloheshin luftime të shumta nga koalicioni Antifashist në njërën anë, si dhe nga forcat okupatore gjermane nga ana tjetër.
Gjatë një jave luftime të ashpra që u zhvilluan përgjatë rrugës automobilistike Strugë-Qafëthanë dhe nën trysninë e pritave dhe sulmeve të njëpasnjëshme nga ana e partizanëve, ku nazistët gjermanë në ditët e fundit të tërheqjes së madhe si dhe në shenjë hakmarrje do ta ndëshkojnë fshatin Ladorisht si përgjegjës dhe bashkëfajtor në krah të frontit antifashist.

Kësisoj, në mëngjesin e hershëm te 28 tetorit të 1944, forca të shumta gjermane të armatosura deri në dhëmbë e rrethojnë Ladorishtin, pa lënë asnjë mundësi për t’u larguar askush nga fshati. Kështu, shtëpive iu vu zjarri, ndërsa fshatarët e tubuar i dërgojnë në fund të fshatit në vendin e quajtur Vakçare, pranë rrugës Strugë-Qafëthanë.
Ata që përpiqeshin të çanin bllokadën qëlloheshin dhe liheshin në vend.Në këtë masakër nuk u kursyen as pleqët e fëmijët.
Nga afro 100 të masakruarve nga xhelatët gjermanë, 7 ishin gra 4 femijë, kurse të tjerët të rinj burra e pleq. Ekzekutimi u bë po aty në Vakçare duke i radhitur në kolona dhe pastaj i qëlluan me breshëri mitralozi. Për të qenë më të sigurtë se të pushkatuarit kanë vdekur, ata do t’i qëllojnë edhe njëherë në kokë me pushkë viktimat e tyre të shtrira në rrëketë e gjakut.

Në saj të aftësisë së tyre dhe momentit të përshtatshëm duke u shtirur si të vrarë kanë mundur t’i shpëtojnë pushkatimit vetëm disa persona si psh; Jusuf Coma, Skender Mahmudi, Kurtish Lena etj. Këto fakte janë dëshmitë më valide nga të mbjetuarit e asaj tragjedie mbi Ladorishtin.
Me këtë kasaphanë hordhitë gjermane do të kryenin një nga masakrat më makabre të kësaj pjese shqiptare të të Maqedonisë Perëndimore.
Atë ditë të kobshme Ladorishti po kalonte orët dhe çastet më të rënda të historisë së tij, ku praktikimi i terrorizmit si formë ndëshkuese e nazizmit mbi popullatën civile nuk njihte kufi.

Vlen për t’u theksuar këtu edhe evokimi nga koha e luftës nga dëshmitarë direkt të atyre ngjarjeve. Një nga dëshmitaret e asaj masakre të këtij fshati ishte edhe Fetie Coma, tanimë e ndjerë, në një nga kujtimet e saj për këtë masakër ajo tregonte: ”Në atë kohë unë isha femijë 10 vjeçe, dhe qëndroja fshehur brenda në shtëpi dhe frigohesha të dalë, kurse pjestarët e tjerë të familjes duke mos ditur askush për njëri-tjetrin, në momente paniku dhe tmerruar nga krismat e armëve kishin tentuar për t’u larguar nga fshati.
Tri herë u përpoq zjarrëvënsi për të na djegur shtëpinë por, tri herë unë vajta dhe e shova zjarrin. Kështu e shpëtova shtëpinë nga djegia shtëpi e cila do të bëhej strehë atë dimër për shumë nga fqinjët tanë të cilët mbetën pa kulm mbi krye. Po atë ditë të mallkuar dushmanët gjermanët ma vranë babën dhe gjyshen ndërsa nënën e plagosën. Ishin momente të vështira që nuk do t’i harrojë kurrë”.

Po atë ditë të zezë nuk mungoi qëndresa dhe rezistenca e armatosur si formë e përgjigjes në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor si traditë e popullit tonë të ngjizur në shekuj në luftë kundër armikut.
Në këto kushte, në gjendje lufte, Maksut LLeshi një nga burrat e Ladorishtit, fill i vetëm me pushkë në dorë depërton nëpër fshatin e pushtuar nga soldateska gjermane dhe arrin deri te burimet e fshatit, ku detyrohet të pranojë luftë të pabarabartë me nazistët gjerman. Ra i plagosur për vdekje te burimet e fshatit.
Nedai Saoli
Kështu, gjermanët do ta mbajnë të rrethuar Ladorishtin duke i terrorizuar dhe masakruar fshatarët gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje, kur edhe do të tërhiqen për në Strugë duke lënë fshatin e djegur dhe të masakruar. Ata që mundën të shpëtojnë të tmerruar me atë që panë e që përjetuan, do të largohen në mbrëmje dhe do të strehohen për disa kohë nëpër fshatrat e Librazhdit dhe Pogradecit, kurse një pjesë tjetër do të futen nëpër shtëpitë gjysmë të djegura e të shkatërruara, duke pritur se çdo të ndodhë me ta në orët në vijim. Shumë kohë do t’i duhen Ladorishtit për t’i shëruar plagët. Në shenjë nderimi dhe zie për viktimat e rënë, gjatë një viti edhe dasmat në Ladorisht do të bëhshin pa muzikë dhe aheng.

Menjëherë pas vendosjes së pushtetit të ri jugosllav e ardhmja në këto anë nuk dukesh shumë shpresëdhënëse.
Përvojat e hidhura nga regjimet e kaluara ku tri herë Ladorishti ishte djegur dhe masakruar, kishin vërtetuar për këtë mosbesim. Sistemi i atëhershëm titist do ta ketë në shënjestër dhe në mbikqyrje te përherëshme Ladorishtin, për vetë faktin se kjo vatër e zjarrtë e atdhetarizmit shqiptar do të shëndrrohet më vonë një bazë e fuqishme dhe mbështetëse e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Por ja që, edhe në kohën e të ashtuquajturës ‘’demokraci maqedone’’, më 15 qershor të vitit 1992, Ladorishtit ja mësyjnë qindra policë maqedonë të armatosur me autoblinda dhe mjete të tjera luftarake duke e rrethuar fshatin si nëpër filma me këtë rast i keqtrajtohen brutalisht shumë familje shqiptare.
Atë ditë shumë shtëpi u bastisën dhe disa veprimtarë të çështjes kombëtare arrestohen dhe dënohen me vite të ndryshme burgimi.
Egjithë kjo gushatë ndëshkuese antishqiptare nga ana e autoriteteve maqedone u bë me pretekst të kërkimit të armëmbajtjeve pa leje.
Mos vallë ishte ky aksion represiv antishqiptar një paralajmërim për një ‘Brodec të ardhshëm’ që do të ndodhte më vonë dhe koha e tregoi se po, ato do të përsëriteshin kohë pas kohe!

Këtë vit Ladorishti përkujton dhimbje 77-vjetorin e masakrës se 28 tetorit të 1944, viktimat e terrorit nazist në Vakçare, duke bërë homazhe të përvitshme ndaj të rënëve në shenjë respekti para monumentit të ngritur enkas për ta.

Lavdi të rënëve!