Marrëveshja Thaçi-Vuçiç-Grenell humbje e lirisë së Kosovës

Marrëveshja e humbjes së lirisë

-Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare në Kosovë

MA. AGIM ALIÇKAJ*/DIELLI

Lufta për pushtet në Republikën e Kosovës ka marrë përmasa absurde tragji-komike, shumë të rrezikshme. Radio-televizionet, gazetat dhe mediat sociale janë të mbushura plotë me shkrime, intervista, debate dhe komente të ndryshme, nga më të ultat e deri te ato me vlera të larta letrare dhe patriotike. Është e kuptueshme përpjekja e çdonjërit për të arsyetuar qëndrimet e veta, por sharjet, fyerjet, gënjeshtrat, mashtrimet, dezinformatat dhe falsifikimet e ndryshme janë të pakuptueshme dhe shumë të dëmshme. “O, tempora, O, mores!” – do të thoshte poeti i njohur Edgar Allan Poe.

A MUND TË SHPËTOI LDK NGA VETËVETJA!?

Më bëri përshtypje postimi i z. Fatmir Bajraj në Bota Sot Group me titull: “LVV-ja do ta djegë Malin për një Lis”, në të cilin mbrohej dhe arsyetohej plotësisht LDK-ja për të gjitha gabimet dhe dështimet 12 vjeçare duke i fajësuar të tjerët. Komenti im ishte si vijon:
“Z. Bajraj, Respekt për qendrimet tuaja. E konsideroj vetën të pavarur por jo të paanshëm kur është në pyetje ekzistenca e shtetit të Kosovës. Çështja nuk është aq e komplikuar si e paraqitni ju. Po flasim për fakte dhe gjëra që shihen haptas, e jo për supozime dhe mashtrime të cilat shumica e popullit i ka kuptuar.
Në njërën anë është Hashim Thaçi, i cili ka kapitulluar para Serbisë dhe po e shet Kosovën. Ai ështe i ndihmuar nga partitë e korruptuara që ishin në pushtet, përfshirë edhe pjesën anti-Rugoviane të LDK-së me në krye Isa Mustafen, të cilat janë fajtore për dështimet e njëpasnjëshme të Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë. Nga ana tjetër është z. Albin Kurti me Vetëvendosjen dhe znj. Vjosa Osmani me grupin përparimtarë Rugovian të LDK-së, të cilët janë kundër ndarjes shkatërruese të Kosovës dhe korrupsionit të pakufi.
Populli kërkoi ndryshime dhe me 6 tetor i votoi këta të dy. Duhet shtuar se përkrahja për ta është në rritje e sipër dhe se në zgjedhjet e ardhshme mund të fitojnë më shumë se 50% te votave. Ju me disa të tjerë po tentoni ta friksoni popullin me kinse rrezikun nga “anti-amerikanizmi, unitarizmi dhe bolshevizmi “. Të kuptohemi, anti-amerikan dhe antishqiptar janë vetëm grupi i parë që e solli Kosovën para katastrofës, askush tjetër. Bolshevizmi dhe unitarizmi për popullin e Kosovës tash për tash janë çështje abstrakte. Populli dëshiron ta shoh së pari punën e Albinit dhe Vjosës për ta vlerësuar, jo të rrezohen pa e treguar vehtën.
LDK rrezikon të përçahet keq dhe të dobësohet plotësisht me fajin e vet dhe jo të VV-s. Mendoj se për të shpëtuar LDK-ja e ka vetëm një rrugë, tërheqja nga formimi i një qeverie “Thaçjane” të kontrolluar nga Vuçiçi, kërkesa për zgjedhje të reja sapo të kaloi virusi dhe largimi i një pjese të gardës së vjetër nga radhet e veta. Në këtë mënyrë mund të forcohet dhe të mbetet relevante në zgjedhjet e ardhshme, të cilat pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, heret ose vonë do të mbahen. Kështu për LDK-në krijohet mundësia për t’i rezistuar me kompetence dhe në mënyrë demokratike “unitarizmin dhe bolshevizmin” si dhe gabimeve të mundshëm të VV-s. Jam i sigurt se komunizmi, bolshevizmi dhe ekstremizmi fetar nga cilado anë qoftë, nuk mund të zë rrënjë kurrë në Kosovë, pa marrë parasysh kush është në qeverisje”.
Deklarata e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, edhe pse me qëllime të caktuara, kundër krijimit të qeverisë Hoti dhe kërkesa për shkuarje në zgjedhje të reja është veprim shumë më i mençur se sa përpjekja LDK-së për të marrë pushtetin në mënyrë ilegale. Edhe nëse e realizojnë këtë dëshirë, “liderët” e vjetëruar të LDK-së do të ja shohin sherrin. Do të jenë të detyruar të marrin pjesë në tradhëtinë më të rëndë kombëtare që nga koha e tradhëtisë së komunistëve shqiptar më në krye diktatorin Enver Hoxha të dhënies së gjysmës së tokave shqiptare ish-Jugosllavisë.

KURRË MOS U NËNSHKROFT NJË MARRËVESHJE ANTISHQIPTARE!!

Fjala e urtë popullore thotë “Katundi që shihet kallauz nuk do”. Intervista e ish-diplomatit amerikan pro-serb, përkrahës i politikës së Ambasadorit Grenell në Ballkan, Z. James Hooper tregon haptas dhe qartas qëllimin e z. Grenell për ndarje të Kosovës. “Marrëveshja Vuçiç-Thaçi është gati, problem për të është vetëm për ta bindur kancelaren gjermane Angela Merkel dhe BE-në gjatë muajve maj e qershor”! Përndryshe, siç shprehet ai “po që se Grenell nuk e arrinë këtë, përfundon mundësia për t’i dhënë fund konfrontimit midis Serbisë dhe Kosovës”. Arroganca e z. Hooper me qëllim të mashtrimit dhe frikësimit të popullit shqiptar është e pashembullt. Kurrë mos u nënshkroft një marrëveshje antishqiptare, Z. Hooper!
Kosova priti më shumë se nji shekull për ta fituar lirinë. Për 21 vjet lirie u keqpërdor rëndë nga politikanët e këqinj. Me luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e shtetit, e ndihmuar nga mërgata e fuqishme, Kosova forcohet dhe ka mundësi për të pritur , deri sa Serbia të shërohet nga sëmundja e urrejtjes dhe aspiratave hegjemoniste. Do të vijë koha kur Serbia do ta lusë Kosovën për njohje të dyanshme në kufijtë ekzistues me qëllim të hyrjes në Evropë. Populli i Kosovës nuk pranon marrëveshje të imponuar dhe nuk e jep më asnjë pëllëmbë toke. Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare anti-njerëzore të kryera në Kosovë.
Kriminelët e luftës nuk mund të amnistohen kurrë.

THAÇI DHE VUÇIÇ E KANË GËNJYER AMBASADORIN GRENELL

Duhet bërë sqarim për ata që i keqkuptojnë ose i keqinterpretojnë me qëllim porositë e këtij shkrimi, të cilat janë të qarta. Amerika dhe Ambasadori Richard Grenell nuk mund të fajësohen për situatën e keqe në Kosovë. Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë investuar shumë dhe nuk janë kundër lirisë së Kosovës. Mirëpo, marrëveshja për ndryshim të kufijve është në favor të Serbisë dhe mund të barazohet me humbjen e lirisë së popullit të Kosovës. Thaçi dhe Vuçiç e kanë gënjyer Ambasadorin Grenell se mund ta shtyejnë këtë marrëveshje të nisur nga interesat e tyre të veçanta. I pari për interesa personale ndërsa i dyti për interesa të Serbisë. Ambasadori i ka pranuar manipulimet dhe gënjeshtrat e tyre si të vërteta pa i analizuar mirë, ai ka dalur hapur në anë të Serbisë dhe nuk mund t’i udhëheq bisedimet me sukses. Pra, këtu kemi të bëjmë me mospajtimin tonë me një politikë të gabuar të një zyrtari të lartë Amerikan në Kosovë dhe asgjë tjetër.
Dëshira e jonë do të ishte që përfaqësuesit legjitim të Kosovës (jo Thaçi) të kenë mundësi të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe para Presidentit Trump të paraqesin qëndrimet dhe brengat tona, me propozime konkrete se si mund të zgjidhet situata.
Kritikat publike me qëllim të mirë nga mërgata shqiptaro-amerikane janë në pajtim të plotë me vlerat amerikane. Kjo nuk e prek dashurinë dhe respektin e përhershëm për Amerikën dhe popullin amerikan. Kundërshtimi i popullit shqiptar kudo, në trojet tona e në diasporë në çdo formë dhe më çdo mjet demokratik i marrëveshjes famëkeqe Vuçiç-Thaçi-Grenell është në interes të Kosovës, të Evropës dhe të Amerikës.

A MUND TA SHPËTOI KOSOVËN GJYKATA KUSHTETUESE ?!
Puna ka ardhë deri tek Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, organi më i lartë i mbrojtjes së shtetit. Pavarësia e kësaj Gjykate është esenciale dhe vendimet e saj duhen respektuar. Ka një arsye shumë të fortë pse në SHBA gjykatësit e Gjykatës Supreme zgjidhen në mënyrë të përjetshme. Ata nuk bënë të influencohen dhe të shantazhohen. Mendoj dhe besoj se gjykatësit e GJK në rastin konkret do të gjykojnë në mënyrë të drejtë, me integritet të lartë personal dhe profesional sepse kanë përgjegjësi historike për funksionimin e shtetit të Kosovës. Këtë e treguan me pezullimin e dekretit të Thaçit për t’i dhënë LDK-së mandatin për krijimin e Qeverisë së re. Vendimi i Gjykatës po pritet me ankth kudo në tokat shqiptare dhe në diasporë. Hapësirat në kushtetutë mund ta lejojnë mundësinë për interpretim se kinse partitë humbëse mund të krijojnë qeveri nëse i “blejnë” votat e shumicës. Por, ky vendim nuk do të mund t’i qëndroi ballafaqimit me argumentat e anës tjetër.
Veprimet e fundit anti-shtetërore dhe makinacionet anti-demokratike të Thaçit të ndihmuara nga Isa Mustafa me disa karrieristë të tjerë, janë të qarta dhe mund të karakterizohen si antikushtetuese. Vetë profesor Arsim Bajrami, njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, përkrahës i PDK-s për një kohë të gjatë, në mënyrë të prerë deklaroi se: “ Kushtetuta e Kosovës nuk ju jep të drejtë partive humbëse të cilat arrijnë sukses ta rrëzojnë qeverinë aktuale me mocion mosbesimi, të krijojnë qeveri me kryeministër tjetër. Shpërndarja e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje është e vetmja rrugë”-shton ai.
Problemet e lidhura me pandeminë dhe shpenzimet e organizimit të zgjedhjeve të lira janë argument bosh i atyre që i friksohen verdiktit të sovranit. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund të krijojnë legjitimitet qeverisës dhe ta qetësojnë popullin e nënçmuar dhe të zemëruar të Republikës së Kosovës.
Këtu vjen në shprehje thënia e vjetër latine: “Vox Populi, Vox Dei”!
Dëshiroj ta përfundoj me përsëritje të shkrimit tim të mëparshëm: “Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kanë dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të deklarojë as të mendojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Askush nuk guxon të bëjë pazare me tokat shqiptare. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na marrë atë. Kombi shqiptar e don me zemër dhe pa hile Amerikën, por e don lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë!”

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës