Marrëveshja e Bryantit me gruan e tij: Të mos udhëtojnë kurrë bashkë me një helikopter

Legjenda e ndjerë e basketbollit, Kobe Bryant, i kishte përdorur helikopterët për të udhëtuar nëpër Los Angeles, mirëpo ai dhe bashkëshortja e tij Vanessa Bryant ishin marrë vesh të mos udhëtonin kurrë bashkë.

Kobe Bryant, i cili vdiq bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare Giannas dhe shtatë njerëz të tjerë që po udhëtonin me helikopterin që u rrëzua, e ka lënë prapa vetes gruan e tij 37-vjeçare Vanessan, dhe tri vajzat – 17-vjeçaren Natalia, trevjeçaren Bianka dhe Caprin, e cila lindi në qershor të vitit të kaluar, transmeton Gazeta Express.

“Ai dhe Vanessa kishin bërë marrëveshje të mos udhëtonin kurrë bashkë me një helikopter”, ka thënë një burim për revistën People për  çiftin që u martua në vitin 2001.

Ndërkohë, hetimet për shkaqet e rrëzimit të helikopterit janë duke vazhduar ende. Radari sugjeroi se helikopteri e kishte arritur lartësinë prej 701 metrave të dielën në mëngjes, para se të rrëzohej. Rrënojat e helikopterit u gjetën në lartësinë prej 331 metrave, sipas Jennifer Homendy nga Bordi Kombëtar për Siguri në Transport (NTSB), transmeton Gazeta Express.

Hetuesit e NTSB-së shkuan në vendin ku gjenden rrënojat e helikopterit në Calabasas për të grumbulluar dëshmi.

Disa ekspertë sugjeruan se piloti mund të jetë hutuar shkaku i mjegullës, mirë Homendy ka thënë se ekipet hetuese do të kërkonin gjithçka për ta gjetur shkakun: nga historia e pilotit deri te motorët e helikopterit.

“Piloti u kishte kërkuar kontrolluesve të trafikut ajror t’i ofrohej ndjekje përmes ndihmës së radarit para se ta fillonte ngjitjen, mirëpo atij i ishte thënë se aeroplani ishte shumë ulët për ta marrë këtë ndihmë”, ka thënë Homendy.

“Pas rreth katër minutave, piloti tregoi se ata ishin duke u ngjitur për t’iu shmangur një shtrese resh. Kur kontrolluesit e trafikut ajror e pyetën se çfarë po planifikonte të bënte, nuk morën përgjigje. Të dhënat nga aradari sugjerojnë se helikopteri u ngjit në 701 metra lartësi dhe pastaj filloi të kthehej në të majtë. Kontakti i fundit me radar ishte rreth orën 9:45”.

Dy minuta më vonë, dikush përreth asaj zone e kishte telefonuar policinë për ta raportuar helikopterin e rrëzuar.

Shumë ekspertë e kanë vënë në dyshim nëse helikopteri duhej edhe të ishte nisur, pasi që kishte shumë mjegull atë ditë, aq sa vetë departamenti i policisë kishte vendosur të mos kishte kontrollime me helikopterë. /Gazeta Express/