Mariçiq: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë shumë histori të përbashkëta

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë shumë histori të përbashkëta – njëra nga to është synimi i përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa tjetra bashkëpunimi në nismën Ballkani i Hapur, së bashku me Serbinë. Maqedonasit dhe shqiptarët janë fqinj të afërt dhe bashkëqytetarë të cilët vendosën ta çojnë rajonin përpara drejt një të ardhme evropiane të qartë dhe të parashikueshme, shënoi në faqen e tij të Fejsbukut zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq pas takimit me kryetarin e Tiranës, Erion Veliaj.

 

Me Erion Veliajn, thotë Mariçiq, njihemi dhe bashkëpunojmë që nga viti 2001, në, siç thekson ai, rrethanat ende të pasigurta në Ballkanin Perëndimor.

“Në sektorin civil ne kemi zhvilluar programe rinore për mendimin kritik, debatin dhe kuptimin e ndërsjellë përmes diskutimit, dhe jo dhunës. Sonte ai në rolin e kryetarit të Tiranës ishte nikoqiri im në darkën e punës në suaza të nismës “Dialogje për Ballkanin” në të cilën i përkujtuam angazhimet tona si aktivistë civil. Sot, nga distanca kohore prej 20-të vitesh, së bashku konfirmojmë se në rajonin tonë mbisundon paqja dhe stabiliteti, toleranca dhe mirëkuptimi”, shënoi zëvendëskryeministri Mariçiq në FB.