Delegacionet e biznesit Kinë – SHBA zhvillojnë bisedime mes tyre

Një delegacion i sipërmarrësve kinezë, i udhëhequr nga Këshilli Kinez për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare (KKPTN), zhvilloi të premten në Uashington bisedime me Këshillin e Biznesit ShBA-Kinë (KBShK) dhe kompanitë anëtare të tij.

Përfaqësuesit e kompanive kineze dhe amerikane nga shumë industri morën pjesë në këtë takim dhe patën shkëmbime aktive.

Ren Hongbin, kryetar i KKPTN, deklaroi se konsensusi i rëndësishëm i arritur nga dy krerët e shteteve gjatë takimit të tyre në Pekin ka dhënë udhëzim strategjik për bashkëpunimin praktik midis kompanive të dy vendeve.

Duke theksuar se KBShK është një partner i rëndësishëm i KKPTN-së në Shtetet e Bashkuara, Ren tha se të dy organizatat janë njëkohësisht mike me një histori të gjatë dhe partnere në të tashmen.

KBShK-ja e ka shfrytëzuar në mënyrë aktive ndikimin e vet dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm si urë lidhëse për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Kinë-ShBA, forcimin e shkëmbimeve ndërmjet të dy popujve dhe rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë, vuri në dukje më tej ai.

Për të ardhmen, KKPTN është i gatshëm të punojë së bashku me KBShK-në për të krijuar më shumë platforma cilësore për dialogun qeveri-biznes dhe shkëmbimet ekonomiko-tregtare, të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm investimesh, të thellojë bashkëpunimin në fushat shumëpalëshe dhe të vazhdojë të shërbejë si zbatues i miqësisë Kinë-ShBA, promovues i bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë Kinë-ShBA dhe mbrojtës i qëndrueshmërisë dhe funksionimit të qetë të zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit, duke nxitur kështu së bashku bashkëpunimin midis komuniteteve të biznesit të Kinës e Shteteve të Bashkuara, tha Ren.